Por ndërkohë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, në 21 qershor 2013, kur në këtë Ministri ishte një tjetër ministër, Florion Mima, komisioni i Vlerësimit të Ofertave, me kryetar Dardan Domi, e vlerëson bashkimin e shoqërive të përfaqësuar nga Muça me 67.3 pikë, ndërsa firmën fituese “Kurum” me 87.7 pikë. Pikërisht ky vendim ka hapur një kalvar ankesash dhe gjyqesh.
Të nderuar Z. Gazetarë,
Unë jam Bujar Muça, përfaqësues i bashkimit të shoqërive "Delta" sha, "Dast" sha dhe "STNPM" shpk.
Ky grupim ka marre pjesë në procedurën konkurruese, "Për dhënien me koncesion të rafinerisë së naftës Cërrik", zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE).
Me njoftimin e datës 02 prill 2013 grupimi i shoqërive përfaqësuar prej meje u rendit i pari në këtë procedurë konkurruese me 100 pikë të plota.
Nga kjo datë deri në mes të qershorit nuk kemi marrë asnjë njoftim nga METE. Në datë 21 qershor 2013 marrim njoftimin se jemi renditur të dytët, ndërsa e para është renditur një kompani tjetër, "Kurum International" sha (i njëjti Kurum që ka marrë 5 koncesione vetëm vitin e fundit, Portin e Kontenienerëve, zonën ekonomike Spitallë, demolimin e makinave, 4 Hec-et e famshme dhe së fundi rafinerinë e naftës Cërrik).
Të ngelur pa fjalë nga ky njoftim, i kërkojmë METE-s sqarime për procedurën e ndjekur për të arritur te ky vendim me shkresën e protokolluar në 26 qershor.
Pasi e para ngeli pa përgjigje, i dërgojmë METE-s një kërkesë të dytë në datë 09 korrik.
Ndërkohë METE nuk humbi kohë. Në datë 08 korrik kishte shpallur në buletinin e prokurimeve publike njoftimin e fituesit për "Kurum International" sha.
Në datë 11 korrik i drejtohemi Gjykatës me kërkesë padi ku kërkojmë anullimin e aktit administrativ dhe pezullimin e zbatimit te tij.
Në datë 22 korrik Gjykata vendos pezullimin e zbatimit të aktit administrativ "Shpallje fitues për Kurum International sha. deri në përfundim të gjykimit.
Në date 23 korrik përmbaruesi gjyqësor njofton METE për këtë vendim dhe i kërkon të ndërpresë procedurat.
Megjithëse në dijeni të plotë të vendimit dhe pasojave që passjell mosekzekutimi i tij METE dërgon për miratim në Këshillin e Ministrave kontratën me "Kurum International" sha dhe Këshilli i Ministrave e miraton këtë kontratë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e me ligjet e këtij shteti.
Të nderuar Z. Gazetarë!
Në përmbushje të misionit tuaj për informimin e publikut, ju kërkoj t’ia transmetoni këtë lajm lexuesve, duke i rezervuar këtij lajmi hapësirën e nevojshme në gazetat tuaja.
Bashkëngjitur ju lutem të gjeni të gjitha dokumentat e sipërpërmendura.
Ju lutem, mos hezitoni të më kontaktoni për çdo paqartësi, apo informacion të mëtejshëm që mund t'ju nevojitet.
Me respekt, Bujar Muça
(Në foto: Faksimile të dokumenteve të paraqitura, ku duken dy vlerësimet nga METE, ankesa e Muçës dhe vendimi i Gjykatëse Përmbarimit)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)