ATHINË, 29 qershor /ATSH-ANA-MPA/ - Greqia është goditur nga temperatura që kanë kaluar më shumë se 40 gradë Celsius si rezultat i një mase të nxehtë ajrore nga kontinenti afrikan që ka vështirësuar jetën e përditëshme për qytetarët dhe për turistët e huaj. Të paktën 41 gradë Celsius shënoi termometri në Volos, 40 në Larisa, 39 në Athinë dhe 36 në Selanik. Autoritetet e shëndetësisë kanë këshilluar njerëzit të qëndrojnë sa më pak jashtë, ndërsa bashkitë kanë ofruar ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar për të moshuarit. "Është me të vërtetë shumë nxehtë. Unë nuk e di sesi njerëzit që jetojnë këtu përballen normalisht me këtë gjë, por ne jemi duke u përpjekur për një vizitë pune në Athinë", thotë një qytetare angleze. Plazhet jashtë Athinës janë plot, ndërkohë që në disa zona pyjore të Korinthit kanë rënë zjarre të cilat për fat të mirë janë vënë nën kontroll nga repartet e zjarrfikësve. Sipas Shërbimit Sinoptik Kombëtar në fundjavë do të kemi një rënie të vogël të temperaturave vetëm në veri të Greqisë, ndërsa nga fillimi i javës tjetër ato do të mbeten në nivelet normale të stinës. Greqia goditet shpesh nga moti i nxehtë në verë, me temperatura që arrijnë edhe 46 gradë Celsius./ a.jor.
/Shqiptarja.com











