Orët e pasdites së kësaj të marte do sjellin përmirësim të motit. Përmirësimi do vijojë deri ditën e nesërme në orët e para të ditës. Më pas, sipas meteorologut Hakil Osmani do të kemi sërish fuqizim të vranësirave të cilat do të sjellin reshje shiu që do përfshijnë zonat veriore dhe më pas gradualisht edhe ato qëndrore.
Reshjet do vijojnë deri orët e para të ditës së enjte. Më pas, shton Osmani do jemi në dominim të motit të qëndrueshëm. Për sa i përket temperaturave, ato do të jenë maksimale 24 gradë celsius dhe minimale deri në 7 gradë celsius që janë tipike për muajin që ndodhemi.
“Gjithë vendi ynë është përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat herë pas here kanë qenë edhe në formën e rrebesheve. Këto reshje do na shoqërojnë deri në orët e pasdites, ku edhe pritet një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike duke bërë që ditën e nesërme paraditja të jetë me alterime kthjellimesh e vranësirash kalimtare. Vranësira që në vakt do të gjenerohen edhe pjesën e dytë të ditës së nesërme. Reshjet e shiut do të jenë në një intensitet mesatar dhe lokalisht herë pas here do të jenë me intensitet të lartë. Reshje shiu që do të na shoqërojnë deri paraditen e ditës së enjte dhe më pas pritet përmirësim i motit duke bërë që deri në fundjavë të kemi mot të kthjellët dhe vranësira të pakta në vendin tonë.
Më të dukshme këto vranësira do të jenë në zonat malore. Zonat perëndimore dhe bregdetare më së shumti do të jenë me mot të kthjellët. Në fund javë do kemi një freskim, duke bërë që vlerat termike të jenë 24 gradë Celsius, që janë tipike për muajin tetor. Do kemi dhe rënie të vlerave minimale pasi ditën e sotme kanë shënuar 10 gradë Celsius ndërsa në fundjavë do të ulen duke shkuar në 6 apo 7 gradë Celsius në zonat malore. Temperaturat që kemi momentalisht dhe që do na shoqërojnë deri në fund të javës do jenë vlera tipike për sa i përket stinës së vjeshtës. Për sa I përket reshjeve, herë pas here do të jenë me intensitet të lartë.
Nuk përjashtohet edhe mundësia e një rrebeshi në formën e breshrit, por që do të jenë të pakta. Në krahasim me tetorin e kaluar, momentalisht ky tetor është i favorshëm. Tamam i stinës së vjeshtës. Ndërsa vjet ka qenë më i thatë. Zonat veriore dhe veri-perëndimore mbeten herë pas here me reshje me intensitet të lartë dhe stuhi ere, por gjatë orëve në vijim pritet një përmirësim i kushteve të motit. Përmirësim që do vijoje deri ditën e nesërme në orët e para të ditës. Më pas kemi sërish fuqizim të vranësirave duke bërë që reshjet e shiut si fillim të vijojnë në zonat veriore dhe më pas gradualisht do përfshijnë zonat qendrore dhe shumë më pak do jenë në jug. Reshjet do vijojnë deri orët e para të ditës së enjte. Më pas do jemi në dominim të motit të qëndrueshëm, ku kthjellimet do të jenë mbizotëruese në pjesën më të madhe të vendit, por edhe vranësirat e lehta dhe kalimtare do jenë në vend”, u shpreh meteorologu, Hakil Osmani.