Mëziu hyn në fushë,Vllaznia:
Kërcënoi me plumb 17-vjeçarin

Mëziu hyn në fushë,Vllaznia:<br />Kërcënoi me plumb 17-vjeçarin<br /><br>
Dhuna e ushtruar pasditen e sotme nga drejtuesit dhe futbollistët e ekipit të Korabit ndaj futbollistëve dhe stafit të "Vllaznia B" është dënuar përmes një deklarate për shtyp të saposhpërdarë nga ana e klubit shkodran. Në këtë deklaratë, i bëhet thirrje FSHF të ndërhyjë për të dënuar aktet e sotme të dhunës dhe për të marrë masat e duhura ndaj shkaktarëve të saj.

Në videon e publikuar nga portali Vipsport.al, dallohet administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, me një xhup të kuq, i cili ndodhet brenda fushës duke u përballur me lojtarët e Vllaznisë B.

Sipas trajnerit të ekipit shkodran, ai kishte kërcënuar kapitenin e këtij ekipi se do t’i “fusë plumbin”.

 

Më poshtë deklarata e plotë e Klubit të Futbollit Vllaznia:

KF Vllaznia sh.a është i detyruar të reagojë me anë të kësaj deklarate për shtyp pas incidenteve të ndodhura pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Peshkopisë në ndeshjen e vlefshme për kategorinë e parë në mes Korabit dhe Vllaznisë B. Gjatë gjithë ndeshjes, nga vendasit është ushtruar dhunë psikologjike ndaj futbollistëve dhe stafit teknik e kjo dhunë ka agravuar edhe më tej, edhe në dhunë fizike teksa në minutat e fundit të ndeshjes janë goditur futbollistë të ekipit tonë. Protagonisti i gjithë kësaj dhune ka qenë administratori i KS Korabit, Fehmi Mëziu, një njeri që vetëm drejtues nuk mund të quhet. Nga goja e tij ka dalë edhe fjala "plumb" adresuar ndaj një futbollisti 17 vjeçar të Vllaznisë. Pa lënë mënjanë këtu edhe shumë veprime të tjera shumë të rënda të këtij personi apo dhe të tjerëve pjestarë të Korabit.

KF Vllaznia dënon ashpër dhunën e shfaqur sot në Peshkopi nga drejtuesit e Korabit dhe i bën thirrje FSHF të ndërhyjë për të neutralizuar veprime të tilla. Nuk është hera e parë që në këtë fushë ka një sjellje të tillë. Edhe në fazën e parë, ekipi jonë ka patur probleme thuajse të ngjashme.

"Vllaznia B" është krijuar me idenë e dhënies së mundësisë futbollistëve të rinj për të treguar vlerat e tyre, duke mos e patur prioritet aspak rezultatin por kurrsesi nuk mund të bëhemi viktima të një gare të tillë të dhunshme.

Nëse, nuk merren masat e duhura, KF Vllaznia bën të ditur se po mendon tërheqjen e këtij ekipi nga kampionati.

KF Vllaznia sh.a është në pritje të reagimit të institucionit të futbollit shqiptar në lidhje me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e sotme.

i demtuari

Shenjat e dhunës në trupin dhe fytyrën e lojtarit të Vllaznisë B

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën

PD nxjerr karriget në oborrin e Kuvendit, i vënë flakën