TIRANE - 20 efektivë të komisariati nr.1 në Tiranë janë pezulluar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shtetit Hysni Burgaj, pasi nuk kanë marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, gjatë momentin kur ka kaluar eskorta e kryeministrit Sali Berisha. Vendimi për pezullimin nga detyra, ka "ngrënë kokën" e shefit të grupit si dhe 19 efektiva të Patrullës së Përgjithshme që kanë qënë me detyrë, ditën kur eskorta e kryeministrit është qëlluar me miell nga dy ish-të përndjekur. Ngjarja ndodhi tre ditë më parë, ndërsa vendimi për pezullimin e 20 efektivave mes tyre edhe të shefit të grupit është marrë dje në mesditë nga kryepolici Hysni Burgaj. Tashmë pritet që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të hetojë incidentin me eskortën e kryeministrit Sali Berisha, ku nën lupën e inspektorëve të SHKB-së do të jenë të gjitha veprimet që kanë kryer efektivët e policisë, duke filluar nga shefi i grupit të gatshëm e deri tek pozicioni i 19 policëve të thjeshtë që ishin vendosur me shërbim ditën e enjte, përballë parlamentit.

PEZULLIMI I POLICEVE
Dy ish-të përndjekurit Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku, që më veprimin e tyre "shkarkuan" dje 20 efektivët e komisariatit nr. 1, arritën të godisnin me miell makinën e kryeministrit Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke hyrë në parlament. Sipas analizës së bërë nga krerët e policisë, është konstatuar se dy ish-të përndjekurit kanë përfituar nga përgjumja e policëve dhe kanë sulmuar së bashku eskortën. Pas goditjes, policët kanë reaguar me shpejtësi, duke neutralizuar dy ish-të përndjekurit, por që në fakt sipas policisë ata nuk bënë thuajse asnjë gjë për të parandaluar goditjen. Nisur nga kjo situatë, kryepolici Burgaj nuk ka pranuar asnjë justifikim duke vendosur pezullimin e efektivave të policisë, mes të cilëve edhe të komandantit të grupit që kishte nën mbikqyrje efektivat që ishin caktuar për ruajtjen e sigurisë në rrugë,gjatë kalimit të eskortës së kryeministrit Berisha.

REAGIMI I SHEFIT

I kontaktuar në telefon nga gazeta "Shqiptarja.com", shefi i komisariatit nr.1 Gjelosh Prendi ka pohuar se pezullimi i efektivave të polcisë është bërë për shkak të një incidenti të ndodhur. Shefi i komisariatit shpjegon për gazetën se të gjithë policët e pezulluar janë ata që kanë qënë në fazën e praktikës policore dhe se në zyrën e tij nuk ka mbëritur asnjë pezullim tjetër për efektivat e lartë të këtij komisariati. Ndërkohë që burime pranë këtij komisariati thanë se janë pezulluar thuajse të gjithë efektivat që kanë qënë në vendgjarje mes të cilëve edhe grupi i gatshëm. Pritet që tashmë fjalën e fundit ta thotë hetimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili shumë shpejt do të dalë me një relacion hetimor rreth incidetit të ndodhur me eskortën e kryeministrit Berisha, makina e të cilit u qëllua me miell. Nga goditja nuk pati anjë dëm material dhe njerëzor, ndërkohë që nga dëshmitarët në vëndgjarje treguan se kryeministri Berisha u tremb shumë.
Dy ish-të përndjekurit Agim Kollçaku dhe Skënder Tufa, pas goditjes me miell u arrestuan menjëherë nga policia, e cila me shumë shpejtësi i futi në makinë dhe më pas i transportoi në komisariatin nr.1. Gjatë shoqërimit Tufa dhe Kollçaku, kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht nga ana e forcave të policisë, ndërkohë që pas marrjes në pyetje ata janë lënë sërish të lirë. Dy ish-të përndjekurit thanë në media se gjithçka e kishin planifikuar së bashku, duke protestuar në një tjetër mënyrë, dhe qëlluar me miell eskortën e kryeministrit të vendit Sali Berisha, që sipas tyre ka zhytur vendin në krizë ekonomike.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm (16 shtator) të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)