PRISHTINË - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi priti sot në një takim të dërguarin e posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Ernst Reichel.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit, ministri Kuçi dhe ambasadori Reichel diskutuan lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës në hapësirën e Bashkimit Evropian, si dhe mbi axhendën e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Ministri Kuçi përshëndeti gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmën që po i ofron Kosovës, sidomos në procesin e integrimit evropiane si dhe në bashkëpunimin që ka me institucionet e Kosovës për të ofruar zgjidhje në çështjen e migrimit ilegal.
Ministri Kuçi e njoftoi ambasadorin Reichel mbi përpjekjet që po bëjnë institucionet e vendit për të ndaluar migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës.
Ministri Kuçi dhe Ambasadori Reichel theksuan se migrimi ilegal nuk është zgjidhje për askënd. Ambasadori Reichel ka thënë se Gjermania do të ndihmojë Kosovën në procesin e kthimit të qytetarëve të saj, si dhe do të vazhdojë të përkrahë krijimin e perspektivës ekonomike në vend.
Ambasadori Reichel gjithashtu ka deklaruar se perspektiva e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian/ATSH/