Në burgjet e mbipopulluara të Sirisë verilindore, mijëra anëtarë dhe mbështetës të Shtetit Islamik vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrje nga forcat kurde që prej muajit maj.
Të paktën 2.500 prej tyre vlerësohet se vijnë nga vendet europiane dhe perëndimore.
Në shumë raste ata janë të detyruar të qëndrojnë pasi vendet e tyre të origjinës vazhdojnë të bëjnë një vesh të shurdhër përballë thirrjeve kurde për t’i riatdhesuar.
Në muajin nëntor presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ngriti zërin duke kërkuar nisjen e riatdhesimit të ish luftëtarëve të ISIS që mbahen në burgjet turke.
Në shumë raste, të dyshuarit si xhihadistë kanë qenë në burg për më shumë se nëntë muaj dhe askush për momentin nuk është në gjendje të thotë se sa kohë do të duhet të qëndrojnë ende këtu. Ata janë të detyruar të qëndrojnë në mes harresës dhe me frikën se vendet e origjinës mund të mos hapin përsëri dyert për ta.
Në këtë pikë, madje edhe presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të NATO-s në fillim të dhjetorit, i bëri thirrje homologut francez Emmanuel Macron të ishte i gatshëm për të marrë në shtëpi qindra xhihadistë që ishin larguar nga Franca për tu bërë pjesë e ish Shtetit Islamik.
Tetorin e kaluar, në orët e para të ofensivës turke kundër forcave kurde në rajon, shpërtheu një trazirë në kampin e refugjatëve të al- Hol, i cili strehon familjet - në shumë raste europiane - të xhihadistëve të burgosur në burgjet kurdë, me qëllim të arratiseshin duke përfituar nga kaosi i luftimeve.