11 persona mes tyre dy gra dhe një ushtar u vranë nga ushtria izraelite në Libanin jugor pasi banorët tentonin të ktheheshin në banesat e tyre dhe protestuan kundër ushtrisë izraelite e cila nuk u tërhoq nga territori Libanit këtë të dielë kur skadonte afati që detyronte largimin e tyre sipas marrëveshjes së armëpushimit.
Izraeli ka thënë se do ti mbajë trupa në jug përtej afatit të së dielës, të përcaktuar në armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA, që ndaloi luftën e vitit të kaluar me Hezbollahun. Izraeli pret që në territor të dislokohet ushtria libaneze e cila duhet të evitojë rikthimin e Hezbollahut.
Ndërkohë, situata edhe më gjerë në lindjen e mesme mbetet e tensionuar. Në Gaza palestinezët nuk po lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Mijëra të zhvendosur janë bllokuar në hyrje të Gazës veriore pasi Izraeli akuzoi Hamasin për shkeljen e armëpushimit. Pamjet e kapura me dron tregojnë situatën e re të krijuar në gaza ku armëpushimi duket të jetë I brishtë.
Të shtunën, Hamasi liroi katër ushtarë izraelite që kishte mbajtur peng që nga 7 tetori 2023, në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë. Por, një mosmarrëveshje shpërtheu kur civili izraelit Arbel Yehud nuk u përfshi në shkëmbim, edhe pse Hamasi kishte planifikuar të lironte më shumë pengje joushtarake. Presidenti amerikan Donald Trump ndërkohë, duket se do të nisë një plan për të “pastruar” Gazën dhe tha se dëshiron që Egjipti dhe Jordania të mirëpresin më shumë palestinezë në një përpjekje për të siguruar paqen në Lindjen e Mesme. Trump u tha gazetarëve se janë 1.5 milion palestinezë që duhet të largohen ndërsa masa sipas tij mund të jetë e përkohshme ose afatgjatë, ndërsa kërkesën ia ka përccuar aktualisht mbretit të Jordanisë Abdullah.
Pamjet tregojnë turmën e madhe të palestinezëve në pritje për t'u kthyer në veri të Rripit të Gazës. Siç shpjegohet, pritja mund të jetë ende e gjatë.
Izraeli ka vendosur të bllokojë rrugën al-Rashid, arterien kryesore për kthimin, duke akuzuar Hamasin – grupin palestinez që qeveris Rripin – për shkeljen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.
Veçanërisht, akuzohet për shkelje në lidhje me lirimin e Arbel Yehud.