ITALI - Milani në Serie A ka përforcuar akademinë e të rinjve me mesfushorin shqiptar Aron Babaj. 16-vjeçari ka firmosur këtë të martë kontratën me kuqezinjtë dhe do trajnohet në një prej akademive më të mira në botë.

I lindur në Prishtinë, Babaj ka qenë më herët pjesë e Skeid dhe Lyn në Norvegji, para se të luante me moshat e Trepçës dhe Prishtinës së Re, ku pjesë e këtij klubi si drejtues ka qenë edhe i ati i tij, Shpëtimi, që në Shqipëri ka luajtur me Besën, Elbasanin, Gramozin dhe Tiranën.

"Mesfushori 16 vjeçar ka nënshkruar me kuqezinjtë. AC Milan me shumë kënaqësi bën të ditur transferimin e Aron Babaj që do të bashkohet me Milan Futuro Project, një nismë e dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të reja", njofton Milani.

Në këtë mënyrë, Aron Babaj në moshën 16 vjeçare ndërmerr një hap të madh në karrierë, teksa nga skuadra e Prishtinës së Re në Superligën e Kosovës, bëhet pjesë e një klubi të madh në arenën ndërkombëtare siç është Milani U-18.