ITALI - Milani po e konsideron gjithnjë e më seriozisht mundësinë për t'ia besuar pankinën e skuadrës trajnerit austriak Oliver Glasner. Kjo është përshtypja që ka dalë nga takimi i zhvilluar në Gjermani mes drejtuesve të Milanit dhe ish-trajnerit të Crystal Palace.

Optimizmi duket i ndërsjellë dhe po rritet nga ora në orë, megjithëse drejtuesit kuqezinj kanë lënë të kuptohet se do t'u duhet ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar mbi trajnerin e ardhshëm.

Arsyeja është se pronari i klubit, Gerry Cardinale, ka zgjedhur një proces përzgjedhjeje tipik amerikan; takime individuale me kandidatët, analizë e avantazheve dhe mangësive të secilit profil dhe vetëm më pas vendosja përfundimtare.

Shumë do të varet edhe nga drejtimi teknik dhe organizativ që do të marrë klubi. Një nga pyetjet kryesore është nëse Zlatan Ibrahimovic do të ketë një rol qëndror në projekt apo nëse mbikëqyrja sportive do t'i besohet Ralf Rangnick. Gjithashtu po vlerësohen alternativa të ndryshme për postin e drejtorit sportiv, mes tyre edhe ish-drejtuesi i Al-Ittihad, Ramon Planes, ose një strukturë më e thjeshtë organizative.

Megjithatë, përparimi më i madh i ditëve të fundit lidhet pikërisht me Glasnerin. Pas rreth gjashtë orësh bisedimesh kokë më kokë me Cardinalen, trajneri austriak është larguar nga darka me ndjesi pozitive.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai do të jetë zgjedhja përfundimtare e Milanit, por përbën një hap të rëndësishëm përpara. Kontaktet mes palëve vazhdojnë rregullisht dhe në një atmosferë pozitive.

Ndërkohë, mbeten të hapura edhe pista të tjera. Nga grumbullimi i kombëtares së SHBA-ve për Kupën e Botës, Mauricio Pochettino ka konfirmuar në mënyrë indirekte se ka pasur kontakte fillestare mes rrethit të tij dhe Milanit.

Po ashtu, Ibrahimovic, me mbështetjen e agjentes Rafaela Pimenta, po mban të hapur edhe mundësinë e afrimit të Arne Slot.

Përfundimisht, Milani duket se është ende në fazën e vlerësimit. Do të nevojiten edhe disa ditë durim, si dhe takime të tjera, të cilat mund të rezultojnë vendimtare për zgjedhjen e trajnerit që do të udhëheqë projektin e ri kuqezi.