TIRANE- Merr jetë marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës për konsullata të përbashkëta mes dy vendeve. E para konsullatë e përbashkët që do nisë zyrtarisht të funksionojë mes dy shteteve shqiptare do të jetë ajo e Milanos. Këtë e konfirmoi dje kryeministri Edi Rama, në takim me stafin e konsullatës sonë në Milano. “Do fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, që kanë trashëguar një histori korrupsioni, arrogance dhe banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt.

Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks, duke pasur parasysh që fluksi do jetë dhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do jetë konsullata e shqiptarëve, e gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës”, tha Rama. Burime nga qeveria kosovare bëjnë me dije se projekti që është në hapat e parë përfshin konsullatat e përbashkëta me Shqipërinë dhe në Preshevë, Tetovë, e pritet që Kosova të kërkojë mbështetje për konsullatë dhe në Gjermani, Zvicër dhe Austri, aty ku komuniteti i shqiptarëve është shumë i madh.

Ndërkohë Rama siguroi të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë do shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim e në dhënien e shërbimit ndaj tyre. Një ditë pasi MPJ ngriti padi ndaj ish-konsulles në Milano Nausika Spahia, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, zhvilluan vizitë në godinën ku është vendosur konsullata. “Të kalojmë diku tjetër që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu e që të ofrojmë shërbime sa më të mira. Kemi bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë që i dhamë fund Call Center-it, që i gërryente lekë shqiptarëve në mënyrë totalisht korruptive, totalisht të pamerituar.

Sot, konsullata, pavarësisht se operon në kushte të vështira, përpiqet për t’u shërbyer njerëzve në kohë dhe objektivi ynë është që të kemi shërbime sa më të shpejta, sa më transparente dhe sa më të lira, për të gjithë qytetarët shqiptarë. Dhe duam që dhe me zhvendosjen që do bëjmë, edhe më të ardhurat që gjenerohen, fondet të ngelen këtu, në funksion të promovimit sa më të mirë të Shqipërisë”, u shpreh ministri Bushati. Kryeministri dhe ministri biseduan me qytetarët mbi problematikat e hasura shpesh lidhur me shërbimet konsullore. Konsullata mbulon një rajon ku banojnë rreth 300.000 shqiptarë e kryen një gamë të gjerë shërbimesh duke përfshirë dhe lëshimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit.


Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)