Të hënën u mbyll dita e tretë e plotë e Lojërave Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'. Gjermani Philipp Raimund fitoi medaljen e artë në kërcimin me ski nga trampolina, ndërsa faza më kulmore ishte gara e patinazhit të shpejtësisë për vajza.
Holandezja Jutta Leerdam ia doli që të merrte medaljen e artë dhe të thyente rekordin olimpik, i cili ishte vendosur vetëm pak minuta më parë nga bashkëkombësja e saj, Femke Kok, me podiumin i cili ishte i gjithi portokalli.
Patinazhi i shpejtësisë - Finalja e garës së 1000 metrave në patinazhin e shpejtësisë për femra solli emocione të mëdha. Holandezja Jutta Leerdam fitoi medaljen e artë duke vendosur rekord të ri olimpik me kohën 1 minutë 12 sekonda e 31 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit bashkëkombësja e saj, Femke Kok, e cila gjithashtu përmirësoi rekordin olimpik. Medaljen e bronztë e mori japonezja Miho Takagi, kampione olimpike në 'Pekin 2022'.
Kërcimi me ski nga trampolina (rampa) - Gjermani Philipp Raimund është kampioni i ri olimpik në kërcim nga trampolina me ski, duke siguruar medaljen e artë me një total prej 274.1 pikësh. Në një finale të fortë, Raimund kaloi në vend të dytë të riun polak Kasper Tomasiak me 270.7 pikë. Vendi i tretë u nda mes zviceranit Gregor Deschwanden dhe japonezit Ren Nikaido, të dy me 266.0 pikë.
Rikthehet sfida historike e hokejit në akull SHBA - Kanada pas 12 vitesh
Pas 12 vitesh mungesë, në Olimpiadën Dimërore Milano Cortina 2026 rikthehet përballja legjendare midis SHBA-së dhe Kanadasë në hokejin e akullit për meshkuj, një duel që konsiderohet midis gjigantëve të këtij sporti. Kanadaja mban në total 9 medalje ari, ndërsa SHBA ka fituar 2 të tilla. Ekipi amerikan i udhëhequr nga Mike Sullivan do të përpiqet të ngushtojë hendekun me rivalët historikë.
Kanadaja do të debutojë më 12 shkurt në orën 16:40, kundër Çekisë, të shortuar në Grupin A me Zvicrën dhe Francën. Në orën 21:10, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me Letoninë në Grupin C, ku luajnë Gjermania dhe Danimarka. Ndeshjet do të luhen në 'Santagiulia Arena'. Ndeshje që po i pret me padurim të paktën gjysma e botës së 'akullit' pasi parashikohet një përballje mes SHBA-së dhe Kanadasë.
Medaljet e dhëna para garave të të martës
Patinazhi i shpejtësisë, fitorja e Jutta Leerdam:

Ajo është një nga sportistet më popullore në Olimpiadën dimërore 'Milano Cortina 2026', falë pranisë konstante të saj në rrjetet sociale. Jutta Leerdam fitoi medaljen e artë në patinazhin e shpejtësisë në Lojërat Olimpike Dimërore të këtij viti, duke u konfirmuar si 'mbretëresha' e këtij specialiteti. Me një komunitet digjital që i kalon 7 milionë ndjekës, ajo mbërriti në Olimpiadë nën një vëmendje të jashtëzakonshme mediatike.
Por presioni nuk e ka bezdisur aspak. Në garë ishte e paarritshme, e aftë jo vetëm të fitonte, por edhe të vendoste rekord olimpik. Ish-lojtare e hokejit në bar, Jutta ka ditur të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme, duke fituar 6 tituj botërorë.
E arta olimpike është pika më e lartë e një rrugëtimi që e ka shenjtëruar përfundimisht, së pari si sportiste dhe më pas si personazh i rrjeteve sociale. Fitorja në 'Milano-Cortina' për Jutta Leerdam ka një shije të veçantë. Katër vjet më parë në Pekin sportistja holandeze mori medalje argjendi.
Në Itali historia ndryshoi, Jutta dominoi 1000 metrat me një autoritet të jashtëzakonshëm, duke regjistruar kohën 1 minutë, 12 sekonda e 31 të qindtat. Një arritje që i dha medaljen e artë dhe rekordin olimpik.
Kush është Jutta Leerdam?
Jutta Leerdam është me origjinë nga 's-Gravenzande, një qytet në Holandën e jugut. Ajo ka lindur më 30 dhjetor 1998. Ka nisur të praktikojë patinazhin në akull në moshën 11-vjeçare, pasi kishte luajtur hokej në akull gjatë gjithë fëmijërisë.
Prej kohësh është shumë e ndjekur në rrjete sociale, pasi jashtë pistës është edhe një modele shumë e vlerësuar. Ajo ka bashkëpunuar me Nike, Skims dhe kompani të tjera.
Nga viti 2023 Jutta është e fejuar me boksierin amerikan Jake Paul, i cili u prek në momentin e fitores së Leerdam në 'Milano-Cortina'. Në vitin 2025 sportistja mori propozimin romantik për martesë, që u përcoll edhe në rrjetet sociale.
Komente










