Të hënën u mbyll dita e tretë e plotë e Lojërave Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'. Gjermani Philipp Raimund fitoi medaljen e artë në kërcimin me ski nga trampolina, ndërsa faza më kulmore ishte gara e patinazhit të shpejtësisë për vajza.
Holandezja Jutta Leerdam ia doli që të merrte medaljen e artë dhe të thyente rekordin olimpik, i cili ishte vendosur vetëm pak minuta më parë nga bashkëkombësja e saj, Femke Kok, me podiumin i cili ishte i gjithi portokalli.
Patinazhi i shpejtësisë - Finalja e garës së 1000 metrave në patinazhin e shpejtësisë për femra solli emocione të mëdha. Holandezja Jutta Leerdam fitoi medaljen e artë duke vendosur rekord të ri olimpik me kohën 1 minutë 12 sekonda e 31 të qindtat. Në vendin e dytë u rendit bashkëkombësja e saj, Femke Kok, e cila gjithashtu përmirësoi rekordin olimpik. Medaljen e bronztë e mori japonezja Miho Takagi, kampione olimpike në 'Pekin 2022'.
Kërcimi me ski nga trampolina (rampa) - Gjermani Philipp Raimund është kampioni i ri olimpik në kërcim nga trampolina me ski, duke siguruar medaljen e artë me një total prej 274.1 pikësh. Në një finale të fortë, Raimund kaloi në vend të dytë të riun polak Kasper Tomasiak me 270.7 pikë. Vendi i tretë u nda mes zviceranit Gregor Deschwanden dhe japonezit Ren Nikaido, të dy me 266.0 pikë.
Rikthehet sfida historike e hokejit në akull SHBA - Kanada pas 12 vitesh
Pas 12 vitesh mungesë, në Olimpiadën Dimërore Milano Cortina 2026 rikthehet përballja legjendare midis SHBA-së dhe Kanadasë në hokejin e akullit për meshkuj, një duel që konsiderohet midis gjigantëve të këtij sporti. Kanadaja mban në total 9 medalje ari, ndërsa SHBA ka fituar 2 të tilla. Ekipi amerikan i udhëhequr nga Mike Sullivan do të përpiqet të ngushtojë hendekun me rivalët historikë.
Kanadaja do të debutojë më 12 shkurt në orën 16:40, kundër Çekisë, të shortuar në Grupin A me Zvicrën dhe Francën. Në orën 21:10, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me Letoninë në Grupin C, ku luajnë Gjermania dhe Danimarka. Ndeshjet do të luhen në 'Santagiulia Arena'. Ndeshje që po i pret me padurim të paktën gjysma e botës së 'akullit' pasi parashikohet një përballje mes SHBA-së dhe Kanadasë.
Medaljet e dhëna para garave të të martës
Patinazhi i shpejtësisë, fitorja e Jutta Leerdam:
Komente










