Milanoviç dhe Milatoviç: Kroacia mbështet Malin e Zi drejt anëtarësimit në BE

Milanoviç dhe Milatoviç: Kroacia mbështet Malin e Zi drejt anëtarësimit në BE

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci.

Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi dhe mundësia e zgjidhjes së çështjeve të hapura me marrëveshje, pozita dhe të drejtat e kroatëve në Mal të Zi, vazhdimi i negociatave malazeze për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), bashkëpunimi brenda aleancës së NATO-s, si dhe situata politike në Evropën Juglindore ishin temat kryesore që diskutuan presidentët Milanoviç dhe Milatoviç.

"Jashtëzakonisht është e rëndësishme të ndërtohen dhe të ruhen marrëdhëniet, t'i rezistojnë të gjitha tekave të mundshme të politikës ditore që, si rregull, kanë efektin e prishjes së marrëdhënieve. Unë nuk shoh asgjë në këtë moment që mund të prishë marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Malit të Zi dhe se do të ketë tema dhe nën tema, që dikush do t'i shpikë dhe do të vijnë spontanisht. Vendet që janë pranuar në NATO, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe të cilat në njëfarë mënyre po zvarriten, zgjaten në hyrjen e tyre në BE dhe negociatat me BE-në, janë vende që janë në fakt me vetëdije dhe në mënyrë të papërgjegjshme po sakrifikohen”, tha Milanoviç.

Milanoviç i quajti veprimet e tilla ndaj vendeve relativisht të vogla që tashmë janë anëtare të aleancës së NATO-s “ikje nga zgjidhja” dhe paralajmëroi se si president i Republikës së Kroacisë ai do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për të gjitha këto vende në rrugën evropiane. Ai e konsideroi më të rëndësishme që Mali i Zi të ketë një qeveri të qëndrueshme që do të vazhdojë rrugën e qeverisë së mëparshme drejt anëtarësimit në BE.

Ai deklaroi se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme politike të Malit të Zi dhe se beson se edhe të ashtuquajturat parti pro-serbe, të cilat morën një numër të konsiderueshëm të votave në zgjedhjet e fundit, nuk duhet të përjashtohen paraprakisht nga qeveria e ardhshme, raportojnë mediat e huaja.

Nga ana e tij, Milatoviç, konfirmoi marrëdhëniet e mira fqinjësore, miqësore dhe në kuadër të aleancës së NATO-s mes dy vendeve.

"Ne e vlerësojmë mbështetjen që Kroacia i jep Malit të Zi kur është fjala për rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Besoj se anëtarësimi i Malit të Zi në BE sa më shpejt të jetë e mundur do të ishte një sinjal pozitiv për pjesën tjetër të rajonit", tha Milatoviç.

Ai tha se do të dëshironte që pas formimit të qeverisë së re në Mal të Zi të realizohej “ndoshta seanca e parë e përbashkët historike e rëndësishme e qeverive të Kroacisë dhe Malit të Zi” dhe që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëdhënie miqësore mes dy qeverive.

“Mendoj se Mali i Zi aktualisht është në udhëkryq nëse do të bëhet shtet plotësisht ligjor, sepse për të përfunduar anëtarësimin në BE duhet të hyjmë atje si shtet normal, ligjor. Nuk jam i sigurt se atë që e bëri Malin e Zi një shtet jo ligjor mund të ndihmojë që ai të kthehet në rrugën e shtetit ligjor dhe në këtë aspekt mbështes një qeveri të gjerë që do të kishte mbështetje të madhe dhe të kualifikuar në parlament, e cila është e nevojshme për të sjellë një numër të madh reformash në gjyqësorin tonë dhe për të liruar edhe Malin e Zi, pra gjyqësorin, nga ndikimi i mëparshëm partiak”, tha Milatoviç.

I pyetur se si do zgjidhet mosmarrëveshja për pronësinë e anijes "Jadran", e cila është trashëguar nga ish-shteti i përbashkët i Jugosllavisë, ai tha se anija është në pronësi të Malit të Zi, por se është i gatshëm që të bisedojë për këtë temë.

Presidenti kroat beson se duhet gjetur një zgjidhje për financimin e përbashkët të rinovimit dhe mirëmbajtjes së anijes "Jadran", duke gjykuar se është një projekt financiarisht i kushtueshëm vetëm për një vend.

Kroacia vazhdimisht e ndihmon Malin e Zi në rrugën e saj evropiane dhe kjo ndihmë reflektohet kryesisht në ndihmën politike dhe teknike në negociatat me BE-në që filluan në vitin 2012.

Sipas të dhënave zyrtare, në Mal të Zi jetojnë rreth 6 mijë kroatë, ndërsa vlerësimet flasin për 10 mijë. Milatoviç shprehu shpresën se do të jetë anëtar i qeverisë së sapokrijuar malazeze.

Tregtia ndërmjet dy vendeve vitin e kaluar, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave Kroate (DZS), arriti në 316 milionë euro ose 32% më shumë se një vit më parë dhe Kroacia ka një suficit të konsiderueshëm në këtë shkëmbim. Kompanitë kroate janë investitor i rëndësishëm në Mal të Zi, pasi deri më tani kanë investuar 294 milionë euro.

Kjo është vizita e parë e presidentit Milatoviç në Kroaci, pasi ai u zgjodh dhe u betua si president i Malit të Zi në maj të këtij viti, kurse Kroacia është anëtarja e parë e BE-së që presidenti Milatoviç e ka vizituar. Krahas takimit me presidentin kroat, Milatoviç gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Zagreb do të takohet edhe me kryeministrin e Kroacisë dhe me kryetarin e Parlamentit kroat.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë