TIRANE - Kryesia e PD ashtu siç pritej zyrtarizoi dy emrat e kandidatëve për të marrë drejtimin e partisë, Sokol Olldashin dhe Lulzim Bashën. Përpara fillimit të Kryesisë, para selisë blu nuk munguan as militantët, të cilët kishin ardhur që në orët e para të mëngjesit vetëm për të parë liderin historik të PD-së, Sali Berishën.

Askush nuk drejtohet me statusin e një zyrtari Z.Berisha, por i drejtohen me “doktor”. “A dini gjë kur vjen doktori? Atë duam të shikojmë më shumë. Prijësin tonë”, janë pyetjet që u drejtohen nga simpatizantët demokratë njerëzve që ndodhen pranë selisë, edhe pse pa e ditur se kush janë.

Orët me vapë nuk i ndalojnë ata që të presin përpara selisë për të parë përveç doktorit edhe figurat e tjera të PD. I pyesim se kë duan më shumë që të shikojnë si pasaardhës të Berishës dhe përgjigja e parë është “Lulin, Lulin duam, çfarë Sokoli. I shkon më shumë që të na drejtojë ai në krye të partisë”, i përgjigjen militantët pyetjes.

Te kafja afër selisë hyn dhe dalin njerëz, kush pi kafe e kush pyet se kur do të nisë mbledhja e Kryesisë për të parë “prijësin e tyre historik”. Gëzohen kur shikojnë një nga figurat që hyn dhe del më shumë në parti, Astrit Patozin. E përshëndesin dhe presin të tjerë demokratë të hyjnë në seli.

Për hir të së vërtetës, nënkryetari i partisë dhe njëherësh kreu i grupit parlamentar të PD, Patozi është ndër të vetmit që shihet më shpesh të hyjë në seli. Është ora 10:25 kur Patozi, i veshur sportiv hyn në seli dhe përgatitet për mbledhjen e kryesisë, e cila nisi në orën 13:00. Pas tij shtohen demokratët anëtarë të Kryesisë që vijnë për në mbledhje.

MBLEDHJA

Kryesia e PD, pas një mbledhje që zgjati më shumë se dy orë zyrtarizoi 2 kandidaturat kryesore që do të votohen në datën 22 korrik nga anëtarësia e partisë. Vetë ish-kreu i PD, Sali Berisha kërkoi një proces dinjitoz votimi nga anëtarësia. “Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Detyra e anëtarësisë së PD është të japë procesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë PD.

Besoj se të dy kandidatët janë të përgatitur me qetësi të presin verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj fituesi do ketë të drejtë të ndërtojë lidershipin e ri të PD, natyrisht të propozojë ekipin që do të cojë PD në fitore. Por kryetari i ri do ketë një zë të fuqishëm në këtë çështje”, iu drejtua Berisha Kryesisë.

Gjatë fjalës së tij drejtuesi i Kryesisë tha se duhet të eleminohet çdo përpjekje për ndëryhrje nga jashtë në ndikimin e votimit. “Të refuzoni me përçmim cdo lloj ndërhyrje të cdo lloji e cilitdo, përpjekje të shëmtuara bëhen nga ata që kontrollojnë mediat, me atë botë me të cilën na lidh asnjë gjë, nga ata të huaj sharlatanë që harrojnë se kur tentojnë në këtë mënyrë janë vetëm një gjel mbi plehra dhe asgjë tjetër.

Ndërgjegja dhe integriteti i juaji është më i lartë se askush tjetër. Nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra juaj është të nxjerrim procesin në bregun e fitores sic na takon”, tha Berisha.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)