Ajo që pritej ndodhi.  Pas disa ditësh luftime të ashpërra militantët e ISIS-it deklaruan krijimin e Kalifatit, apo shtetit islamik në territoret e kontrolluara prej këtij grupi në Irak e Siri. Kreun e saj, Abu Bakr al-Bagdadi, organizata sunite e shpalli Kalif apo “drejtues të muslimanëve kudo qofshin”. Madje ata publikuan një hartë se si do jetë kalifati pas pesë vitesh.

Edhe Shqipëria, sikundër pjesë të mëdha të Azisë, Afrikës, por edhe Europës, parashikohet të jenë pjesë e këtij kalifati.

“Këshilli i shtetit islamik e shqyrtoi çështjen, pasi u mblodhën të gjithë elementët e nevojshëm për kualifikimin si “Kalifat”, dështimi i themelimit të të cilit do t’i bënte muslimanët të konsideroheshin mëkatarë. Në dritën e këtyre fakteve, shteti islamik nuk ka detyrime ligjore apo pretekste, që të justifikojnë vonesat në shpalljen e Kalifatit”, tha Abu Muhammad al-Adnani, zëdhënës i ISIS.

Krijimi i një Kalifati nën sundimin e ligjit islamik ka qenë prej kohësh qëllim parësor i xhihadistëve. Ky term historik përdorej në të shkuarën për t’iu referuar një vendi sovran me popullsi plotësisht muslimane.

Ambiciet për të krijuar një shtet të tillë dhe mosrespektimi i urdhrave ishin arsyeja përse udhëheqësit e al-Kaedës e dëbuan ISIS-in në fillim të vitit. Madje, filiali zyrtar i rrjetit më të madh terrorist të botës, në muajin Janar, iu bashkua kryengritësve sirianë për t’i përzënë luftëtarët e këtij grupi, nga Aleppo dhe qytete të tjera kufitare.

Mendohet se një grup me shqiptarë lufton përkrah këtyre militantëve islamikë.

Në krye të tyre është Lavdërim Muhaxheri, që vlerësohet si një nga figurat kryesore të Shtetit Islamik.
harta e kalifatit
 
Redaksia Online
(e.s/g.f/shqiptarja.com)