Situata
Zyhra Kola është një anëtare e Partisë Demokratike në Njësinë Bashkiake numër 5 në Tiranë si edhe ish-anëtare e shtabit elektoral të PD-së. Ajo nuk kishte përfunduar arsimin e lartë, por pavarësisht kësaj kishte zënë në Drejtorinë e Regjistrimit të Automjeteve një post shumë të mirë prej specialisti. Por krahas kësaj, ajo që shkon invers me deklaratat e saj se është shkarkuar me motivacion politik është fakti se ka filluar punë në këtë institucion pas vitit 2005 kur Partia Demokratike kishte ardhur në pushtet. Kola theksoi dje se ishte shkarkuar nga puna në 21 mars të vitit 2014. “Në një bisedë që kam pasur me një shef personeli aty më thotë që Zyhra e di që je specialiste, e dimë që je shumë korrekte në punë por ti je zgjedhur tek njësia 5 kryetare e Lidhjes së Gruas Demokratike.
"Unë nuk jam e zgjedhur në asnjë nga strukturat e Partisë Demokratike. Unë jam vetëm tek themelimi i PD-së", theksoi Kola. Por sipas të dhënave të saj në regjistrin elektron të Gjendjes Civile, Zyhra Kola është e datëlindjes 1956, pra aktualisht në moshën 58 vjeçe dhe në moshën 49-vjeçare kishte arritur që të bëhej specialiste pa pasur arsimin e lartë. Krahas kësaj, nga të dhënat e marra në faqen e saj në “facebook” rezulton se Kola është një anëtare e flaktë e Partisë Demokratike. Kjo pasi në foton e saj të profilit është vendosur një fotografi ku Kola është e rreshtuar në radhë në pritje për t’i dhënë dorën Berishës. Kjo fotografi është bërë përgjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Kola gjithashtu ka qenë pjesë e shtabit elektoral të Partisë Demokratike në njësinë Bashkiake numër 5 ku ka punuar për kandidatin për deputet Halim Kosova, ish-ministër i Shëndetësisë. Por ajo që bie në sy në fotografinë e profilit të saj është një koment i cili thekson se ajo është gjithmonë në radhë të parë për të takuar Berishën, duke dëshmuar bindjen e thellë politike që ka ndaj PD-së.
(Në foto: Diploma e shkollës së mesme e Zyhra Kolës)
Ja pse nuk pranoi punën e Erjon Veliajt
Puna e ofruar nga ministri i Mirqënies Sociale Erjon Veliaj për militanten e PD-së me një pagë mujore 1 mijë euro në muaj nuk mund të pranohet nga Zyhra Kola pasi ajo është një person që nuk ka arsim të lartë. Para dy ditësh, Veliaj u përfshi në një incident me një anëtare të Partisë Demokratike si edhe pjesë e shtabit elektoral të PD-së në njësinë bashkiake numër 5. Në dalje të Pallatit të Kongreseve ajo u përfshi në replika të forta në fillim me kryeministrin dhe më pas me ministrin Erjon Veliaj.
Ajo akuzoi Veliajn se e kishin shkarkuar nga puna në mënyrë të padrejtë, ndërsa ministri iu kundërpërgjigj duke i thënë se do t’i gjente punë me pagë 1 mijë euro në muaj dhe ajo nuk pranoi.
Në fillim nuk u kuptua mirë arsyeja pse Zyhra Kola nuk e pranoi ofertën e Veliajt, i cili i tha se do ta çonte personalisht tek punëdhënësi, por tani kjo doli hapur. Dy janë arsyet kryesore. E para është fakti se ajo është një person që nuk ka arsim të lartë, pra nuk mund të jetë inxhiniere, dhe e dyta është fakti se ajo është një militante e PD-së dhe nuk mund të pranojë një punë nga mazhoranca.
Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)