Në mbledhjen e komitetit drejtues kombëtar të Partisë Demokracia Sociale, Milo ishte i ashpër kur foli për gjendjen e parlamentit, të cilën e cilësoi “katundari politike”.
Gjithashtu dhe ndërhyrjet e ambasadorëve, sipas Milos, përbëjnë turp për politikën shqiptare.
“I bëj thirrje ambasadorit mik amerikan, që për hir të kokëfortësisë së Berishës, apo skifterëve të tjerë të politikës shqiptare, krahët e të cilëve duheshin prerë me kohë, të mos kapërcejë vijën e kuqe të statusit të tij diplomatik, sepse Shqipëria mirë apo keq ka qenë e mbetet një vend i pavarur, anëtar i NATO-s-, sovranitet i të cilit duhet respektuar në të gjitha rrethanat. Unë e kuptoj simbolikën e mesazhit të tij dhe përdorimin e gjuhës së pazakontë diplomatike sepse siç thuhet: Kështu i do mushka drutë. Por, nëse mërzitet nga intrigat bizantine të politikës shqiptare, shpenzimet nuk duhet t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Shqipëria është mbi partitë politike”.
Sipas kreut të PDS-së, situata në vend mbetet kritike njësoj si para 3 viteve kur e majta erdhi në pushtet. Ai njoftoi gjithashtu se do ti nënshtrohet për vendimmarrje bazës së partisë, për vijimin ose jo të vazhdimit të alenacës me Partinë Socialiste.
“Ka ardhur koha që Demokracia Sociale të qëndrojë fortë, të tërheqë mendimin e bazës së saj dhe veçanërisht të strukturave vendimmarrëse, siç është Komiteti drejtues Kombëtar i partisë. Çfarë do të bëhet me të ardhmen e bashkëpunimin e Partisë Demokracia Sociale me Partinë Socialiste apo dhe me partnerë të tjerë të koalicion aktual të qeverisjes”.
Milo theksoi dhe një herë se koalicioni qeverisës po refuzon të zbatojë marrëveshjen parazgjedhore të 2013-s duke mos i dhënë PDS-së atë që i takon.
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)