Kalimi i kompetencës për evidentimin e ndërtimeve pa leje njësive bashkiake, ka ndarë në dy kampe 11 drejtuesit minibashkive në kryeqytet. Për krerët e njësive bashkiake që i përkasin kampit socialist, ky kalim kompetencash nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim, pasi minibashkive nuk kanë mundësi vendimmarrje. Ndërsa kryetarët e minibashkive të djathta, thonë se kjo është një gjë shumë pozitive, pasi çdo minibashki do të mund ta menaxhojë më mirë sipërfaqen e saj.
“Unë nuk isha në takimin e djeshëm të Bashës me njësitë bashkiake, por e njoh shumë mirë këtë vendim. Unë iu them me bindje të plotë se ky është një mashtrim, që po përdoret për motive politike. Ai thotë se po na jep më shumë kompetenca, por në të vërtetë, ne si minibashki sërish nuk do të kemi në dorë asnjë gjë.
Policët dhe inspektorët ndërtimorë do të varen sërish nga bashkia e madhe, ndërsa për çdo vendim prishjeje të një ndrëtimi pa leje, sërish ne nuk kemi asnjë kopetencë, pasi për ta bërë atë duhet firma e kryetarit të madh të bashkisë së Tiranës. Pra ky vendim është thjesht një mashtrim”, - thotë Krenar Cenollari, kreu i njësisë bashkiake nr.6 në Tiranë.
Jeta Seitaj e njësisë bashkiake nr.5, thotë se ndonëse nuk ka qenë në takim për arsye shëndetësore, e njeh shumë mirë këtë vendim, pasi është një vendim i marsit, por nuk e ka të qartë se si do të funksionojë kjo gjë. “Unë e njoh shumë mirë këtë vendim, por nuk kemi asnjë gjë konkrete se si do të veprojmë dhe çfarë kopetencash kemi saktësisht. Unë nuk jam shumë optimiste për këtë gjë”, - na thotë Jeta Seitaj.
Për krerët e minibashkisve të djathta, ky është një hap pozitiv drejt decentralizimit të kopetencave të njësive bashkiake. “Vendimi është marrë në mars nga këshilli bashkiak, por që ishte lënë të hynte në fuqi pas zgjedhjeve, - na thotë Haki Mustafa, i njësisë bashkiake 11. -Sigurisht që është një gjë pozitive në të gjitha drejtimet.
Çdo minibashki do të ketë 4 inspektorë ndërtimorë dhe 4 policë bashkiakë, të cilët çdo mëngjes do të ndjekin sinjalizimet për ndërtime pa leje. Kjo ka anën pozitive, pasi njësia bashkiake mund të kujdeset më mirë për territorin e saj, ndërkohë që kjo do të nxisë edhe konkurrencën midis vetë minibashkive që në hapsirën e tyre të mos ketë ndërtime pa leje. Është shumë pozitive”, - thotë Mustafa.
I po të njëjtit mendim ëhstë edhe Arben Tafaj, kreu i njëissë bashkiake nr.8 në kryeqytet. “Kalimi i kompetencës së manaxhimit të territorit nga Bashkia e Tiranës tek njësitë bashkiake do të ketë efekte pozitive tek banorët e kryeqytetit. Vëmendja ndauj asaj që ndodh në territorin tonë do të jetë më e madhe për secilën minibashki dhe duke pasur të drejtën e ndërhyrjes, nuk do të lejohen shkeljet e ligjit, si dhe do të ketë menaxhim më efikas”, - thotë Arben Tafaj. Por sërish ata thonë se vetëm kjo s’mjafton për decentralizimin e kopetencave dhe minibashkitë duhet të kenë më shumë të tilla.
Lajmi u përditësua
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)