Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka akuzuar sot presidentin Donald Trump se ka minimizuar sakrificën e ushtarëve britanikë dhe të aleatëve të NATO-s që shërbyen në Afganistan.
Reagimi i Starmer erdhi pasi Trump sugjeroi se trupat e NATO-s që morën pjesë në misionin 20-vjeçar në Afganistan kishin qëndruar “pak larg vijës së frontit”. Komentet shkaktuan reagime të forta në Britani, nga spektri politik, veteranët e luftës dhe familjarët e ushtarëve të rënë në Afganistan.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se “presidenti gaboi rëndë duke minimizuar rolin e trupave të NATO-s, përfshirë forcat britanike në Afganistan”, duke shtuar se Britania është “jashtëzakonisht krenare për forcat e saj të armatosura dhe për sakrificën që ato kanë bërë”.
Kryetarja e Partisë Konservatore britanike, Kemi Badenoch, i cilësoi deklaratat e president Donald Trump si “denigruese” për trupat britanike dhe “plotësisht të pavërteta”. Demokratët liberal kërkuan që qeveria britanike të thërrasë ambasadorin amerikan për sqarime.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Britania dhe aleatët e saj “iu përgjigjën thirrjes së SHBA-së” dhe se të rënët në luftë duhet të kujtohen si “heronj që dhanë jetën në shërbim të vendit”.
Nga ana tjetër, ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, ish-marins që ka shërbyer katër herë në Afganistan, i cilësoi deklaratat si “krejtësisht qesharake”, duke theksuar se trupat britanike dhe amerikane luftuan së bashku dhe se “jo të gjithë u kthyen në shtëpi”.
Reagime të forta erdhën edhe nga familjarë të veteranëve, të cilët i cilësuan fjalët e president Donald Trump si fyese për sakrificën dhe vuajtjet e tyre, duke i kërkuar qeverisë britanike të reagojë publikisht.
Deklaratat e president Donald Trump u bënë fillimisht në një intervistë për Fox News dhe më pas u përsëritën gjatë një fjalimi në Davos, ku ai vuri në dyshim gatishmërinë e aleatëve të NATO-s për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në rast nevoje.
Komentet kanë rihapur gjithashtu debatin mbi faktin se vetë president Donald Trump nuk ka shërbyer në ushtri, pasi gjatë Luftës së Vietnamit përfitoi nga përjashtime mjekësore, një çështje që ka qenë prej vitesh objekt kritikash në SHBA.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë konfliktit në Afganistan humbën jetën 3 486 trupa të NATO-s, prej të cilëve 457 ishin ushtarë britanikë. Shtetet e Bashkuara patën 2 461 të rënë, ndërsa Kanadaja 165.
Komente












Trumpi ka "dale" komplet nga "linjat" e seriozitetit ! Ne raport me numrin e popullsise, humbjet e britanikeve jane pothuaj te njejt ame ato amerikane.Ndersa humbjet me te medha per fryme i kane Danezet ! Reagimi ishte shume i "ashper" nga i gjithe spektri i politikes Britanike ! Ne fakt,Trumpi po bashkon te majte dhe te djathte ne Europe ! Rruga e Dibres
Përgjigju