Në kuadër të këtij Ministeriali, ministri shqiptar Ditmir Bushati zhvilloi takime me homologun e tij maqedonas Nikola Poposki, Sekretarin francez të Shtetit Harlem Desir dhe Nën-sekretarin italian për Punët e Jashtme, Vincenzo Amendola.
Gjatë takimit të Bushatit me Désir, ky i fundit theksoi se Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ndikojnë pozitivisht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese.
Ndërsa gjatë takimit me ministrin maqedonas, Bushati shprehu mbështetjen për procesin e reformave të ndërmarra në Maqedoni, të dakordësuara me BE-në. Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimi.
Gjatë takimit mes kryediplomatit shqiptar dhe Nën-sekretarit italian, palët u shprehën se bashkpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë ka qenë tepër i suksesshëm në hapësirën Adriatike dhe mund të përbëjë një model në përballimin e krizave me të cilat përballet sot BE-ja.
Ky Ministerial, që pason Samitin e Ballkanit Perëndimor i mbajtur në Vjenë më 27 gusht 2015, do t’u ofrojë pjesëmarrësve mundësinë për të vlerësuar dhe thelluar më tej punën e bërë mbi projektet rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, që do mbahet në korrik.
Redaksia Online
(shqiptarja.com)