Ministrat e PD mund të lenë
vendin pa energji elektrike

Ministrat e PD mund të lenë<br />vendin pa energji elektrike
TIRANË-Ministrat teknikë të Partisë Demokratike tashmë rrezikojnë të na lënë pa energji elektrike.

Rezervat energjetike në vend janë drejt fundit, teksa blerja e energjisë nga jashtë duket e pamundur edhe pse paratë e nevojshme janë në dispozicion.

Burime pranë qeverisë sqarojnë për Shqiptarja.com, se “Korporata Elektroenergjitike mund të lehtësonte në zgjidhjen e situatës duke përdorur një fond prej 22.4 milion Eurosh që e ka në dispozicion në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjitike. Fond ky i parashikuar posaçërisht për import energjie nga KESH-i në kushtet e krizave me thatësirë të zgjatur”.
 
Por përdorimi i këtij fondi nga KESH-i, që do të lehtësonte dhe barrën nga OSHEE, është peng i vendimmarrjes ende të pamundur në Këshillin e Ministrave.

Burimet sqarojnë se ministrat teknik të Partisë Demokratike nuk kanë firmosur asnjë vendim qeverie dhe rrjedhimisht ka mbetur pezull dhe vendimi që do të autorizonte KESH-in të përdorte këtë sasi parash për të nisur importin.
“Ky vendim do të mund të shmangte situata të paparashikuara me vazhdim të thatësirës gjatë muajve të verës e më tej në vjeshtë. Deri sa ky vendim të mund të miratohet, OSHEE do të jetë e detyruar që të përdorë fondet e veta për të garantuar blerjen e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit të konsumatorëve”-thonë burimet.

Por kjo gjendje është vështirësuar edhe nga roli i drejtorit teknik të OSHEE-së, i cili me ardhjen në detyrë ka ndërprerë importin, duke penguar krijimin e një rezerve.

“Niveli i Fierzës në fund të muajit Prill, periudhë kur dhe krijohet rezerva energjitike, paraqitej në 278.6 m ose rreth 16 m më i ulët se sa niveli në të njëjtën periudhë të 2016 ose 10 m më i ulët se niveli për të njëjtën periudhë të 5 viteve të fundit. Rezerva energjetike në rezervuarin e Fierzës për muajin Prill 2017 paraqitej me një defiçit prej rreth 700 GWh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Si rrjedhojë e situatës OSHEE realizoi blerje energjie nga importi në Maj në masën e 173 269 MWh. OSHEE gjatë drejtimit nga administratori teknik ndërpreu importin e energjisë përgjatë gjithë muajit Qershor, ndonëse do duhej të vazhdonte importin për të mos u sforcuar KESH-i me Kaskadën. Pas insistimit të vazhdueshëm dhe zyrtar nga KESH-i dhe Ministria e Energjisë, administrator teknik vendosi të kontraktojë vetëm për tre ditët e fundit të Qershorit dhe për muajin Korrik import në masën e 285 600 MWh. Rrjedhimisht, gjatë gjithë Qershorit, vendi u furnizua me energji elektrike duke përdorur prodhimin e sforcuar të Kaskadës së Drinit nga KESH-i çka çoi edhe në uljen e ndjeshme të nivelit në Fierzë.

Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës ka zbritur në 272 m ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. KESH-i tashmë prodhon për nevojat e OSHEE-së vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale, me synim të mos ulë më tej nivelin e Kaskadës.

Për shkak të rritjes së konsumit, nisur edhe nga temperaturat e larta atmosferike, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë, me synim garantimin e furnizimit të konsumatorëve. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin Korrik në masën 112 000 MËh. Kryeja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të Kaskadës që pamundësonmbulimin e ngarkesës së pikut, bën qëedhe çmimet e importit të jenë të pafavorshme për OSHEE-në.
 
OSHEE, po shfrytëzon kështu fondet e saja për të garantuar mbulimin me energji të konsumatorëve në kushtet kur KESH-i nuk mund të sforcohet më tej për prodhim nga Kaskada”-thonë më tej burimet.

Mosmiratimi i VKM-së për energjinë, Mandija: Ishte jo transparente
Zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, ka reaguar për sa i përket kronkës së transmetuar në media për mosmiratimin e projekt vendimit të Këshillit të Ministrave për blerje të energjisë nga ana e ministrave teknik.
 
Sipas një njoftimi për mediat nga zyra e zv.kryeministres bëhet e ditur se mosvotimi i këtij projektvendimi nga ana e 4 prej 7 ministrave teknikë, është bërë në bazë të një vlerësimi individual, pasi kanë patur parasysh se nuk është marrë në konsideratë mendimi i ministrit të Financave dhe atij të Drejtësisë.
 
Gjithashtu në njoftim thuhet se procedura e ndjekur për miratimin e VKM-së ishte jo transparente.
  
Njoftimi i plotë:
Duke marrë shkas nga një kronikë e transmetuar në median elektronike sipas së cilës ministrat “teknikë” kanë penguar blerjen e energjisë elektrike duke rrezikuar mosfurnizimin e vendit me energji elektrike, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik për sa më poshtë:
 
Ministrat të ashtuquajtur “teknikë”, të cilët nuk kanë pranuar të miratojnë vendimin në fjalë të Këshillit të Ministrave janë 4 nga 7 të tillë dhe kanë vepruar në mënyrë të tillë në bazë të vlerësimit individual që kanë bërë për këtë VKM, duke marrë në konsideratë dhe faktin që për VKM në fjalë nuk ishte marrë mendimi paraprak i detyruar nga Ministri i Drejtësisë referuar nenit 24 të Ligjit 9000/2003 dhe mendimi paraprak i Ministrit të Financave për shkak të prekjes së shumës së huasë së dhënë nga Banka Botërore. Sqarojmë se nuk ka pasur vendimmarrje të përbashkët mes ministrave “teknikë”.
 
Këshilli i Ministrave miraton vendimet me shumicë të thjeshtë. Konkretisht, neni 20, i Ligjit 9000/2003 “Për organizmin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave” parashikon se “Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, me votim të hapur”. Rrjedhimisht, mosmiratimi i vendimit nga një pjesë apo qoftë edhe të gjithë ministrat “teknikë” nuk përbën pengesë për miratimin e këtij vendimi nga pjesa tjetër e ministrave që përbëjnë shumicën në Këshill të Ministrave.
 
Gjithsesi ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik për arsyet e mosmiratimit nga 4 ministrat “teknikë” në fjalë.
 
Procedura për miratimin e VKM-së ishte jo transparente. Fillimisht VKM u dërgua për miratim pa relacion shpjegues. Pas kërkimit të relacionit në fjalë, ky u dërgua më vonë, por ishte tërësisht i paqartë në përmbajtje. Konkretisht, nuk kishte analizë të detajuar se përse ishin shteruar rezervat ujore në kaskadë çka diktonte gjendjen emergjente për prekjen e huasë së Bankës Botërore qëllimi parësor i së cilës është rimëkëmbja e sistemit energjetik shqiptar.
 
OSHEE në muajin maj 2017 duhej të kishte tenderuar energjinë elektrike për muajin pasardhës qershor 2017, çka nuk e ka bërë. Rrjedhimisht, mungesa në treg e energjisë së tenderuar është plotësuar nga KESH nëpërmjet shfrytëzimit rezervave ujore në kaskadë, përveç faktit që KESH gjithashtu eksportonte energji duke konsumuar edhe më shumë këto rezerva. Rrjedhimisht, bie poshtë argumenti se KESH ishte në kushte ku nuk mund të prodhonte energji për shkak të nivelit të ulët të rezervave ujore në rezervuar.
 
Pra, lajmi i transmetuar se ministrat “teknikë” janë bërë pengesë për furnizim me energji, çka ka detyruar qeverinë sot për ta blerë atë me kosto të lartë nuk është i vërtetë.
 
Zyra e zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, gjatë kësaj periudhe garanton miratimin e çdo projektvendimi të Këshillit të Ministrave që është përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
 
VKM për energjinë, ja si gënjen zv/kryeministrja Ledina Mandija
Zv/kryeministrja Ledina Mandija, në përpjekje për të mohuar bllokimin që ministrat “teknikë” po i bëjnë vendimit të Këshillit të Ministrave që autorizon Korporatën Elektroenergjitike të kryejë import energjie për të tejkaluar krizën me thatësirën dhe mungesën e zgjatur të reshjeve, është kapur në gënjeshtër të shumëfishtë.

Në përgjigjen e saj, Mandija thotë se “për VKM në fjalë nuk ishte marrë mendimi paraprak i detyruar nga Ministri i Drejtësisë referuar nenit 24 të ligjit 9000/2003 dhe mendimi paraprak i Ministrit të Financave për shkak të prekjes së shumës së huasë së dhënë nga Banka Botërore”.

E vërteta është se Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka marrë mendimet paraprake të këtyre dy ministrive që në datën 19 Maj. Këtë e konfirmojnë shkresat që shikoni bashkëlidhur të firmosura nga Ministrat Arben Ahmetaj dhe Petrit Vasili. 

ahmetaj

vasili
(Shkresat e ministrave Ahmetaj e Vasili për importin e energjisë)

Procedura për VKM është krejtësisht transparente dhe në përputhje me teknikën legjislative, çka thuhet shprehimisht edhe në mendimin e dhënë me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, përkundër sa pretendon zv/kryeministrja Mandija.

Bashkë me VKM, në sistemin e e-akteve është hedhur relacioni i plotë i kësaj VKM-je. Relacioni që gjithashtu keni bashkëlidhur është prej 5 faqesh dhe ka të argumentuar arsyet përse po iniciohet vendimi dhe situatën emergjente të shkaktuar nga mungesa e reshjeve.

Mandija shkon më tej kur thotë se OSHEE duhet të tenderonte energji për muajin Maj. Në fakt, OSHEE ka tenderuar blerjen nga importi në Maj në masën 173 269 MWh. Importi është ndaluar sapo në OSHEE ka ardhur administratori teknik Haki Mustafa dhe përgjatë gjithë muajit Qershor deri në 3 ditët e fundit.

Mandija pretendon se “KESH eksportonte energji në muajin Qershor duke konsumuar edhe më shumë rezervat”. E vërteta është krejt ndryshe për shkak të padijes së zv.kryeministres. KESH ka në detyrën e vet funksionale operacionet e shitblerjes së energjisë për qëllime optimizimi dhe përfitimi ekonomik të korporatës. Optimizimi nuk është eksport dhe as nuk ka lidhje me nivelin dhe rezervën energjitike të Kaskadës.

Rrjedhimisht, gjatë muajit Qershor, KESH ka blerje energji në orët e natës kur çmimi është i lirë dhe e ka shitur të njëjtën sasi energjie në orët e ditës kur çmimi është më i lartë. Ky lloj operacioni, i cili nuk ka lidhje fare me nivelin e ujit në Kaskadë, pasi e njëjta sasi energjie që blihet natën shitet të nesërmen ditën, ka sjellë në total 261 mijë euro të ardhura për arkën e KESH-it dhe shtetin shqiptar.

Zv/Kryeministrja nuk jep asnjë argument se përse ajo dhe ministrat teknikë nuk e firmosin vendimin e Këshillit të Ministrave që do të lehtësonte menaxhimin e situatës së krizës me mungesë reshjesh dhe thatësira. Një qëndrim i cili përkthehet në kosto financiare të rënduar për shtetin dhe taksapaguesit shqiptarë.


(d.b/D.T/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS