Ministri Ahmetaj: Gati urdhri i ri,
kualifikime falas për punëkërkuesit

Ministri Ahmetaj: Gati urdhri i ri,<br />kualifikime falas për punëkërkuesit<br>
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj vizitoi shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, ku zhvilloi një takim të zgjeruar për “Zhvillimin e aftësive dhe punësimin” me mbi 200 nxënës, mësues e sipërmarrës, më të cilat shkolla ka një bashkëpunim të rregullt për praktikat profesionale.

Ministri theksoi se në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po bëhet një analizë e detajuar për aftësimin profesional dhe punësimin, me qëllim afrimin e nevojave të tregut me ofertën për punë, edhe për të adresuar ato sfida me të cilat ekonomia shqiptare përballet sot:

“Ajo që unë dua të sjell në vemendje të shkollës, por në vëmendje të gjithë politikëbërësve, është fokusi i kurrikulumit tek ato industri që eksportojnë. Shqipëria patjetër ka një sfidë shumë të madhe me eksportet. E para, ka akoma eksporte me vlerë të ulët. E dyta, e ka gamën e eksporteve shumë të ngushtë. Si mund të afrojmë ne industri të cilat janë prodhuese - eksportuese? Duke kaluar tek furnizimi i aftësive të përputhura me këto industri.

Viti 2017 ka qënë viti i parë kur në kontributin e ekonomisë, eksportet neto kishin kontribut pozitiv, për herë të parë. Po çfarë i bëri eksportet neto pozitive? Shërbimet, eksporti i shërbimeve, turizmi. Këtu duhet të jemi spektakolar, pasi shumë shpejt do të përballemi me sfidën se sa do arrijmë të mbajmë numrat e turizmit.

Tashmë kemi një mendim të maturuar që e ardhmja e ekonomisë shqiptare, konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare kërkon aftësi specifike, të cilat nuk furnizohen thjesht dhe vetëm nga Universitetet, por ka nevojë për këto qendra, ka nevojë për këto shkolla, që të përgatisin studentë në të gjitha profesionet, në aspektin teknik” – tha Ahmetaj.

Po kështu Ministri theksoi nevojën për kualifikimin e punëkërkuesve aktivë në Shqipëri, sidomos ata që për shkak të moshës, gjeografisë apo aftësive, e kanë më të vështirë të punësohen.

“Duhet të mendojmë më zgjuar për përputhjen me nevojat që ka tregu i punës me atë që afron arsimi profesional dhe me ato që janë në terrenin e punëkërkuesve aktiv. Një punëkërkues aktiv ka nevojë të kualifikohet për të qenë i punësueshëm. Unë jam duke përpunuar një Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë që do të detyrojë të gjithë punëkërkuesit të shkojnë falas në kualifikime” – u shpreh Ministri i cili bëri gjithashtu një premtim për ta kthyer shkollën profesionale të Lezhës në një qendër multifunksionale model në vend.

“Do ta mbyll duke ndarë me ju një emocion shumë pozitiv për atë që ka bërë kjo shkollë me premtimin, duke iu referuar asaj që tha drejtori që po ezaurojmë kapacitetin hapësinor të shkollës, une që sot do të flas me kryetarin e Bashkisë për të marrë ndërtesën tjetër dhe për ta bërë një shembull të një qendre multi-funksionale spektakolare”

Shkolla profesionale Kolin Gjoka në Lezhë, është inauguruar para një viti, me kushte dhe standarde model për nxënësit e profileve hoteleri-turizëm, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi dhe Ekonomi.

Mbi 400 nxënës mësojnë aktualisht në shkollë, nga të cilët 230 zhvillojnë praktikat profesionale në mbi 40 sipërmarrje lokale dhe jo vetëm, me të cilat shkolla ka marrëveshje bashkëpunimi. 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet