Ministri Ahmetaj në Berlin: Shqipëria, vendi i mundësive

TIRANE, 23 Qershor/ATSH/- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Gjermani dhe Deutsche Bank dhe DIHA (Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), organizoi në datën 18 Qershor, në Berlin, konferencën e investitorëve gjermanë. Në këtë konferencë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, ishte së bashku me Kryeministrin Edi Rama.
Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj shpjegoi avantazhet e investimit në fushat e ndryshme të ekonomisë Shqiptare.
Para më shumë se 140 investitorësh të interesuar gjermanë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik foli për mundësitë në sektorët prioritarë të modelit të ri ekonomik të Shqipërisë.
"Pas një analize nisur kohë më parë, qeveria ka përcaktuar jo vetëm sektorët që nuk kanë performuar siç duhet prej kohësh, por edhe sektorët e rinj e me potencial të lartë zhvillimi. Pikërisht këta sektorë duhet të jenë fokusi i investitorëve, pasi mundësitë e rritjes së tyre vit pas viti janë shumë të larta", theksoi Ministri Ahmetaj.
Sipas Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, nëse ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri do të kthehen në ritmet historike mesatare, prej 6% në vit, të ardhurat e shqiptarëve do të konvergojnë me të ardhurat Europiane për frymë për 22 vite. Kjo do të thotë se, disa sektorë do të rriten shumë më shpejt se sektorë të tjerë ndërsa, gjatë kësaj periudhe ekonomia do të kalojë në eficiencë të plotë.
Në aktivitetin që u hap nga Kryeministri Rama, Ministri Arben Ahmetaj foli edhe për mundësitë specifike që ofron vendi, duke nisur nga zhvillimi i disa sektorëve prioritarë si: energjia, bujqësia, turizmi apo industritë prodhuese, e deri tek kostot e krahut të punës dhe përgatitjes së tij. "Shqipëria ka moshën e dytë më të re në Europë dhe kjo është një mundësi e cila, bashkuar me kostot e ulëta të punës, nga më të ulëtat në rajon, e po ashtu edhe me arsimimin mesatar të rinisë shqiptare, përkthehet në një mundësi të madhe ekonomike për të gjithë investitorët. Prej kohësh një ndër problemet kryesore me investimet në Shqipëri ka qenë stabiliteti por, me marrëveshjen me FMN dhe bashkëpunimin me Bankën Botërore, ky problem është zgjidhur nëpërmjet kanalesh të vazhdueshme komunikimi", u shpreh Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Ahmetaj foli edhe për potencialin e Shqipërisë si për eksport, ashtu edhe për import, drejt Bashkimit Europian, potencial që është 40 % nën potencial për eksportet dhe 33 % për importet. Sipas Ministrit, pavarësisht se tregtia me shumë vende është duke shënuar nivele rritjeje të qëndrueshme, ka shumë më shumë mundësi për rritje. Duke paraprirë edhe anëtarësimin e afërt në BE, nënvizoi Ministri Ahmetaj, këto janë zhvillime ekonomike që do ta transformojnë tërësisht ekonominë shqiptare.
"Shqipëria është Europa e pazbuluar nga investitorët dhe kjo është një mundësi për biznesin gjerman, pasi ne jemi shumë të interesuar të kemi investime të huaja cilësore, të cilat përmirësojnë standardet dhe performancën e tregjeve", përmbylli fjalën e tij Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes./a.gegvataj/

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç