“Reforma në Drejtësi do ta afrojë Shqipërinë me Bashkimin Europian, ndërkohë që do ta bëjë vendin më tërheqës për investimet e huaja”, tha ministri Austriak.
Ndërsa Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se në takimi është diskutuar për ecurinë e procesit të integrimit dhe kalendarin e Shqipërisë të veprimit.
“Diskutuam për reformat shtetndërtuese, sidomos për atë madhore në drejtësi. Austria ka një qëndrim të qartë sa i takon integrimit të Ballkanit në BE. Ramë dakord edhe për një dokument të përbashkët pune, ku nuk përfitojnë vetëm institucionet por edhe persona nga bota akademike. po punojmë për konferencën e ardhshme në Vjenë”, tha Bushati.
Ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Curz shprehu mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Duke u ndalur tek çështja e klandestinëve, Bushati dhe Curz kanë shprehur rëndësinë e bashkëpunimit shumëpalësh.
“Mirëpresim përforcimin e bashkëveprimit me Shqipërinë për sfidat aktuale, mes të cilave ajo e klandestinëve” ka thënë Curz ndërsa Ministri Bushati është shprehur se, “Për të parandaluar në kohë çdo lloj situate që mund të implikonte me trafiqe e situata të padëshirueshme gjithë pellgun e adriatikut, pasi Shqipëria dhe Mali i Zi e Italia do prekeshin, por do kishte efekte e pasoja për vendet e tjera evropiane. Nuk është opsion në tryezë, ne jemi duke ndjekur analizuar e vlerësuar çdo skenar pasi dimri bën punën e vet dhe nuk është favor për shtetet e ndryshme. Momentalisht jemi duke vlerësuar mbi baza të përditshme, po analizojmë çdo ditë dinamikat e fenomenit dhe gjithë rrugëkalimet e mundshme, kufiri me Maqedoninë e Greqinë jemi duke e përforcuar, në bashkëpunim dhe me Italinë, sot ky skenar nuk duket që të jetë i mundshëm, ne nuk po flemë gjumë, por jemi duke u përpjekur për të parandaluar çdo lloj situate” tha Bushati.
Sipas Bushatit, kjo vizitë dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Austrisë, marrëdhënie të cilat këtë muaj shënojnë 94 vjetorin e vendosjes për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona, si dhe 60 vjetorin e rivendosjes së tyre.
Procesi i integrimit evropian, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit bilateral, koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta në menaxhimin e sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian, si kriza migratore dhe siguria në kontinent, ishin çështjet kryesore që u trajtuan në takim.
Gjithashtu, vizita e MPJ Kurz në vendin tonë, si pjesë e një turi rajonal të tij në Ballkanin Perëndimor, rikonfirmon qasjen e afërt të Rajonit drejt Bashkimit Evropian, si dhe angazhimin e Austrisë në këtë drejtim.
Ministri Bushati e njohu Ministrin Kurz me progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe, veçanërisht me reformën në drejtësi. Ai vlerësoi kontributin e qeverisë austriake në mbështetje të procesit të reformave në vend. Kjo mbështetje pasqyrohet qartë në Strategjinë për Zhvillim 2015-2020, ku asistenca për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës, arsimin profesional, janë vetëm disa nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve. Gjithashtu turizmi, mbetet një fushë prioritare e bashkëpunimit shqiptaro-austriak, ndaj nënshkrimi nga Ministri Ahmetaj dhe Ministri Kurz, i Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e turizmit synon të rrisë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin e Austrisë si një ndër vendet anëtare më të zëshme pro zgjerimit, si dhe u shpreh se: “kemi rënë dakord sot për një plan konkret veprimi mes dy vendeve përgjatë vitit 2016, i cili përmban një sërë angazhimesh dhe aktivitetesh konkrete në mbështetje të avancimit të vendit në rrugën e integrimit, me objektiv marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky plan shtrihet në fusha si: integrimi evropian, ekonomia, programeve të zhvillimit, administrata publike, edukim, shkencë dhe shoqëri civile”.
Në kuadër të kësaj vizite në ambientet e MPJ-së u ekspozuan disa materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)