Ministri Bushati-Nishanit: Çliroje
veten nga sindroma e qarramanit

Ministri Bushati-Nishanit: Çliroje<br />veten nga sindroma e qarramanit
Ditmir Bushati i është përgjigjur fort dhe ashpër Presidentit të Republikës mbi sjelljen e paprecedentë të kreut të shtetit ndaj trupës sonë diplomatike në botë. Gjithçka nisi me një anulim të pazakontë që gjatë javës Nishani i bëri një takimi të paracaktuar me ambasadorët tanë, të cilët më herët kishin takuar kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

Prania e Visar Zhitit, diplomat në Selinë e Shenjtë, i cili ishte emëruar pa bekimin e Nishanit, bëri që ky i fundit ta përdorte këtë kapriço për të injoruar pa i paralajmëruar të gjithë diplomantët tanë.

Ambasadorët mbërritën në Presidencë në orën e caktuar, por stafi i kreut të shtetit i thanë se fatkeqësisht duhet të largoheshin pasi Nishanit i kishte dalë një punë.

Një ditë më pas, në një argument zyrtar, Nishani pretendoi se arsyeja e anulimit ishte dhunimi i institucionit nga ministri i jashtëm dhe stafi i tij. Këtë argument, Bushati e ka përgënjeshtruar, dhe me një shënim të gjatë i kërkon Nishanit të reflektojë mbi sjelljen e tij ndaj trupës sonë diplomatike.

Deklarata e plotë Bushatit 

Habitem se si një President që ka mesatarisht 2-3 këshilltarë për çdo çështje (përfshirë ato protokollare), nuk sqaron opinionin publik për veprimin e tij të paprecedent në shkelje të ceremonialit të shtetit dhe praktikës së konsoliduar diplomatike shumëvjeçare, por preferon të keqpërdor tellallët e vend strehimeve politike.

Ceremoniali i shtetit, si pika e vetme e referimit për protokollin e shtetit që siguron mirëkuptimin e bashkëpunimin midis institucioneve, është fare i qartë. Ai aplikohet njësoj për Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme. Ceremoniali nuk lë shteg për interpretime partiake, e as për trajtim privat të institucioneve shtetërore. 

Koha e trajtimit të trupit diplomatik mbi bazën e "vendeve të rezervuara" ka perënduar që kur shqiptarët me votën e tyre të lirë e nxorën në opozitë partinë e zotit President. Trupi diplomatik nuk është “mërgata e qyqeve” dhe as e “qokatarëve”, por një trupë e një shërbim që punon për interesat e vendit e qytetarëve.

Keqardhje për Presidentin në kërkim të konflikteve të vockla, që hesht dhe pranon çimentimin e kulturës së korporatës në drejtësi. Është mendësia e korporatës, në shpërfillje të plotë të rendit demokratik, që tregojnë me gisht mbi 93% e shqiptarëve sot. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë investuar pak në këtë proces jetik për vendin.

Keqardhje për “amnezinë presidenciale” ndaj paranojës së partisë së zotit President për reformën në drejtësi, që po e çon këtë të fundit gjithnjë e më shumë drejt instikteve e metodave izolacioniste të Doktorrit, i cili, për hir të interesave të pushtetit dhe familjes së tij, u konfrontua me popullin dhe botën atlantike.

Zoti President, çlirojeni veten nga përdorimi i funksionit publik si pronë private dhe partinë tuaj nga paranoja e “rrezikut euro-amerikan”, çlirojeni veten dhe partinë tuaj nga sindroma e qarramanit, sepse për Shqipërinë çështja më madhore mbetet miratimi i reformës në drejtësi.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)