TIRANE- Edhe pse pritet të ketë një reformë të thellë në sektorin e energjisë elektrike, qeveria nuk pritet të rrisë tarifat për klientët. Këtë e ka deklaruar ministri i Financave Shkëlqim Cani dje, në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Banka Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Pjesëmarrësit në të riafirmuan rëndësinë e ndjekjes së një programi të konsolidimit fiskal për uljen e borxhit publik, ndërkohë që diskutuan mbi hapa specifikë që Shqipëria mund të ndërmarrë për t’i bërë shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, dhe ndihmën sociale sa më efiçiente dhe produktive.

Aktualisht, sistemi energjetik shqiptar është thuajse në gjendje “kolapsi”. Krahas infrastrukturës së dobët të transmetimit, nivelit jo në parametrat e duhur të prodhimit, nivelit të ulët të mbledhjes së arkëtimeve, këtë situatë e ka rënduar dhe dështimi i privatizimit dhe largimi i kompanisë CEZ.

Ministri Cani tha se reforma që ka nisur qeveria në këtë sektor është e dhimbshme për buxhetin, por ajo parashikon një sërë masash, që nisin me rritjen e arkëtimeve, ndëshkimin për abuzuesit, investimet në rrjet etj.
Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe Banka Botërore në sugjerimet që i kanë bërë qeverisë, reformën në sektorin energjetik e kanë vendosur në një vend të rëndësishëm. Në raportin e saj më të fundit, Banka Botërore evidenton si emergjente reformën në këtë sektor paralelisht me masat për të formalizuar ekonominë.

Enti Rregullator ka nisur nga puna për rishikimin e çmimeve të energjisë. Ideja është që tarifa e energjisë të unifikohet në një. Por kjo nismë parashikohet të nisë nga zbatimi në vitin 2015.
Ndërkohë, pavarësisht se BB është shprehur për një zgjidhje të mosmarrëveshjeve pa i kaluar në Gjylatën e Arbitrazhit, midis qeverisë shqiptare dhe CEZ Groupit, kërkesa e investitorëve çekë për një dëmshpërblim në masën 200 milionë euro për anulimin e licensës konsiderohet nga qeveria shqiptare si e papranueshme dhe rrënuese për financat publike.

Banka Botërore dha dy kredi me shumë 220 mln USD për Shqipërinë javën e kaluar.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)