/ATSH-B.Jashari/- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mbërrin për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ministria e Infrastrukturës e Kosovës bën të ditur se ministri Lutfi Zharku, pret sot në takim në Prishtinë ministrin shqiptar Edmond Haxhinasto.
Dy ministrat nisin takimin në orën 10:00, e më pas do të mbajnë një konferencë për shtyp.

"Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë", ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për bashkëpunimet mes dy vendeve në prezantimin e programit qeverisës me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvend.

Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t'i japim prioritet maksimal, ka theksuar kryeministri Mustafa, i pyetur nga ATSH, në një konfencë shtypi, ndërsa ka paralajmëruar mbledhjen e dytë të qeverive të dy vendeve në mars të këtij viti në Tiranë, pas të parës historike në janarin e vitit të kaluar në Prizren.

"Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet përgatitjes së mbledhjes së dytë mes dy qeverive tona", shprehej zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në rrugë drejt Tiranës për vizitën e parë bilaterale në këtë mandat të ri qeverisës, në 11 janar, pikërisht në një vjetorin e mbledhjes së qeverive në Prizren.

Edhe parapërgatitjet për mbledhjen e dytë të dy qeverive, ishte edhe takimi në 15 janar në Prishtinë i ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, dhe ministrit kosovar të Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, e një ditë më parë takimi në Tiranë i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë, Ilir Beqaj, me ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së detyrës.

Në Prishtinë, dje u bë e ditur se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës për Kardiokirurgji.