Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi të mërkurën mbërritjen në Tiranë të ministrit francez të Drejtësisë, Gérald Darmanin, një vizitë që përkon me sesionin e hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit që po mbahet në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gogu e vlerëson vizitën si një sinjal të fortë besimi për reformën në drejtësi dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

“Për herë të parë, një ministër francez i drejtësisë viziton Shqipërinë, një sinjal besimi për rrugën europiane të drejtësisë shqiptare. Në prag të Kongresit Botëror të Drejtësisë, kjo vizitë konfirmon se partneriteti me Francën po forcohet jo vetëm në fjalë, por në standarde, bashkëpunim dhe institucione më të besueshme për qytetarët”, shprehet Gogu në një postim në rrjete sociale.

Vetëm një javë më parë, në kryeqytet ishte edhe ministrja austriake e Drejtësisë, Anna Sporrer, e cila zhvilloi një takim me ministrin Gogu për avancimin e procesit të integrimit europian dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

Gjatë takimit, Sporrer vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformat në drejtësi dhe konfirmoi mbështetjen e Austrisë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.