Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Holandës Ferdinand Grapperhaus javën e kaluar vizitoi Shqipërinë, ku zhvilloi disa takime me kryeministrin Rama dhe ministrat Lleshaj dhe Gjonaj në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dy palësh në luftën kundër grupeve kriminale që veprojnë në dy shtetet. Pas kthimit në vendin e tij, Ferdinand Grapperhaus ka folur për mediat holandeze duke dhënë edhe detaje nga biseda që zhvilloi në Shqipëri me krerët e shtetit.

"Unë shkova në Tiranë për të kërkuar që ata të punojnë në luftën kundër kriminelëve. Bandat shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë pushtet. Kriminelët shqiptarë punojnë në mënyrë të organizuar. Bandat shqiptare të kokainës janë aktive nga Amerika e Jugut deri në Limburg. Kokaina hyn nga shqiptarët përmes portit të Roteradmit” deklaroi ai. Holanda ka qenë një nga tre vendet skeptike për hapjen e negociatave në qershorin e kaluar që u shtynë, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi për qershorin që po vjen.