Foto: Ferit Hoxha

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një reagimi në X, Hoxha theksoi se 11 shtatori është një ditë që bota nuk do ta harrojë kurrë, ndërsa kujtoi afro 3 mijë jetët e pafajshme të humbura dhe familjet, jetët e të cilave ndryshuan përgjithmonë.

“Dhimbja e asaj dite u ndje shumë përtej brigjeve të Shteteve të Bashkuara. Ajo u ndje thellë edhe në Shqipëri”, u shpreh Hoxha.

Sipas Hoxhës, marrëdhënia mes dy popujve mbështetet në vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë, partneritet strategjik dhe një miqësi të qëndrueshme, e cila ka përballuar edhe periudha të vështira.

“Ne nderojmë sot ata që humbëm dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre dhe popullit amerikan. I bëjmë homazh qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të një kombi që, përballë një tragjedie të papërshkrueshme, zgjodhi të qëndrojë i bashkuar dhe të mbrojë vlerat që na bashkojnë”, tha ai.

Hoxha rikonfirmoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për përballimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe urrejtjes, kudo që ato kërcënojnë paqen, lirinë dhe jetën njerëzore.

“Shqipëria qëndroi me Shtetet e Bashkuara në atë ditë të errët dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku në mbrojtje të lirisë, paqes dhe vlerave tona të përbashkëta demokratike. Disa momente nuk harrohen kurrë. Disa miqësi nuk zbehen kurrë. Ne kujtojmë. Ne nderojmë. Ne qëndrojmë së bashku”, përfundoi Hoxha.


Lajmi kryesor:

25 vjet nga sulmet terroriste në SHBA, Begaj: Amerika ky komb i madh e i fortë i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë