Pas 4 muajve në krye të diplomacisë shqiptare, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha thotë se ka arritur në disa përfundime, pasi ka takuar të gjithë homologët të BE-së apo rajonit dhe jo vetë. E para imazhi i vendit.

Kurrë më parë në historinë e saj, Shqipëria nuk ka gëzuar një reputacion më të mirë në botë dhe një zë më të fortë në skenën ndërkombëtare. Në asnjë moment në historinë tonë, Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar, më e vlerësuar, më e kërkuar dhe më e vizituar sesa është sot, me dyer të hapura kudo

Për Hoxhën mbi të gjitha Shqipëria qëndron më afër se kurrë mundësisë reale për të realizuar ëndrrën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për këtë kryediplomati thotë se duhet kontributi i të gjithëve

Ajo kërkon edhe më shumë angazhim, edhe më shumë përgjegjësi, edhe më shumë punë, energji dhe vendosmëri. Mbi të gjitha, kërkon kontributin e secilit prej nesh, përtej dallimeve politike, bindjeve apo vendit ku jetojmë.

Në fund ministri i Jashtëm kujton rrugën nga ku sipas tij u nis ndryshimi. Vetëm një dekadë thotë ai është e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë u trashëgua dhe çfarë është bërë në këto vite, duke iu referuar qeverisjes së mëparshme të Berishës.

Ferit Hoxha u betua si ministri i ri i Punëve të Jashtme më 6 mars, duke zëvendësuar në këtë detyrë ish ministren Elisa Spiropali.

Postimi i Ferit Hoxhës

Një përfundim që nuk le vend për mëdyshje.

Pas afër katër muajsh në detyrë, kohë gjatë të cilës kam takuar dhe biseduar me të gjithë homologët e mi në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në rajon dhe në mbarë hapësirën evropiane; pasi kam zhvilluar qindra takime me zyrtarë, diplomatë, gazetarë, ekspertë dhe studiues që ndjekin e analizojnë zhvillimet gjeopolitike; dhe pasi kam marrë pjesë në dhjetëra ministeriale, konferenca, forume, takime e aktivitete ndërkombëtare, një përfundim del qartë:

Kurrë më parë në historinë e saj, Shqipëria nuk ka pasur një emër më të mirë në botë dhe një zë më të fortë në arenën ndërkombëtare.

Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka gëzuar marrëdhënie të tilla miqësie e bashkëpunimi, të besueshme dhe të konsoliduara me partnerët dhe aleatët e saj, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Në asnjë moment të historisë sonë, Shqipëria nuk ka qenë më e respektuar, më e vlerësuar, më e dëshiruar dhe më e vizituar se sa është sot, me derën të hapur kudo dhe e mirëpritur gjithkund.

Në çdo kryeqytet ku kam qenë gjatë kësaj kohe, kam ndjerë të njëjtën frymë dhe kam përjetuar të njëjtën gjë: Shqipëria dëgjohet me më shumë vëmendje, trajtohet me më shumë respekt dhe, mbi të gjitha, shihet si një partner serioz, i besueshëm dhe me kontribut konkret e me potencial për të ofruar më shumë, edhe për Evropën edhe për rajonin.

Jo më pak domethënës dhe kuptimplotë është edhe ndryshimi i perceptimit.

Sot, emri #Shqipëri lidhet gjithnjë e më shumë me lirinë, suksesin, zhvillimin, turizmin, mikpritjen, energjinë pozitive dhe një shoqëri dinamike në transformim të pandalshëm, pasqyrimi i një realiteti tërësisht të transformuar: i një Shqipërie më të hapur, më konkurruese dhe më të pranishme se kurrë më parë në hartën politike, ekonomike dhe turistike të Evropës.

 Dhe, mbi të gjitha, Shqipëria është në prag të realizimit të ëndrrës që bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë, në çdo cep të vendit dhe në çdo anë të globit: anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rikthimit të plotë në përkatësinë tonë historike, politike dhe qytetëruese evropiane.

Ky nuk është thjesht një moment historik.

Është një mundësi që vjen një herë në breza. Një dritare unike për të përmbushur aspiratën më të madhe kombëtare dhe për ta rikthyer Shqipërinë aty ku ka qenë gjithmonë vendi i saj i natyrshëm.

Por një mundësi e tillë nuk realizohet vetvetiu.

Ajo kërkon edhe më shumë përkushtim, edhe më shumë përgjegjësi, edhe më shumë punë, energji dhe vendosmëri.

Mbi të gjitha, kërkon kontributin e secilit prej nesh, përtej dallimeve politike, bindjeve apo vendit ku jetojmë.

Sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është projekti ynë kombëtar.

Dhe pikërisht si i tillë, ai kërkon bashkimin e energjive tona më të mira, në mënyrë që këtë moment historik ta shndërrojmë në arritjen më të madhe të Shqipërisë demokratike dhe në një trashëgimi të qëndrueshme për brezat që do të vijnë.

Vetëm një dekikë mjafton për të hedhur vështrimin pas dhe për të kuptuar se ku ishim dhe ku gjendemi sot;

nga kemi ardhur dhe ku po shkojmë;

çfarë trashëguam dhe çfarë duam të ndërtojmë.

Të gjithë së bashku.