Në kuadër të takimit ministror të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Pržno të Malit të Zi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul.
Të dy ministrat patën një shkëmbim thelbësor me fokus rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Shpreha vlerësimin tonë të thellë për mbështetjen e qartë, konsistente dhe të vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e zgjerimit të BE-së dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkroi Ministri Hoxha në rrjetin social X pas takimit.
Hoxha nënvizon se “angazhimi i fuqishëm i Gjermanisë për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në merita përbën një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e momentumit dhe avancimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Sipas Hoxhës, agjenda ambicioze e reformave të Shqipërisë, dhe prioritetet në vijim të negociatave të anëtarësimit mbeten çelësi i së ardhmes sonë evropiane.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur zotimet tona dhe për të avancuar mbi bazën e meritave, ndërsa punojmë ngushtë me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë drejt një Evrope më të fortë, më të bashkuar, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, deklaron Ministri i Jashtëm.
Lajmi kryesor:
Takimi i Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, Hoxha: Procesi i zgjerimit, përgjigja për një Evropë më të qëndrueshme







