
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT).
Në postimin e tij në rrjete sociale, ministri Salla thekson, se këtë vit akademik, numri i regjistrimeve në 9 programet e përbashkëta me Universitetin BOKU të Vjenës shënoi një rritje mbi 20%, duke reflektuar interesin e lartë të studentëve dhe besimin në cilësinë e arsimit të ofruar.
“Ky rezultat është fryt i përpjekjeve për afrimin e arsimit me tregun e punës dhe për ta kthyer UBT-në në një qendër ekselence në rajon”, shprehet Salla.
Falë këtij partneriteti, studentët përfitojnë diplomë të dyfishtë dhe eksperiencë ndërkombëtare, duke pasur mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në një prej institucioneve më të njohura akademike shqiptare.
Sipas Ministrit, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të MBZHR dhe UBT, studentët do të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht përmes praktikave dhe programeve të punësimit, në mbështetje të vizionit “Bujqësia 2030”, shkruan Salla.
Ndër të tjera ai u uroi suksese të gjithë studentëve të rinj, duke theksuar rolin e tyre në transformimin e bujqësisë shqiptare drejt një sektori modern, në përputhje me standartet europiane.
Lajmi kryesor:
Nis viti i ri akademik/ 20 mijë maturantë të regjistruar, 60% zgjodhën Universitetin e Tiranës! Risi programet studimore me diplomë të dyfishtë











