TIRANË- Kryediplomati grek Nikos Dendias do të vizitojë nesër vendin tonë. Sipas një njoftimi nga ministria e punëve të Jashtme greke, në Tiranë, Dendias pritet të takohet me homologen Olta Xhaçka dhe më pas në orën 12.00 pritet të kenë një konferencë të përbashkët për mediat.
Dendias do të ketë një takim edhe me kryeministrin Rama. Bisedimet do të fokusohen në çështje me interes dypalësh, evropian dhe rajonal, përgatitjet për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, situatën në Ukrainë si dhe perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, Dendias do të zhvillojë një takim edhe me anëtarët e pakicës kombëtare greke nga Himara dhe më pas me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.