Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut: Rajoni në moment kritik, prania amerikane e rëndësishme

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut: Rajoni në moment kritik, prania amerikane e rëndësishme

Bujar Osmani

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut mbajtën të enjten në Uashington për herë të parë një Dialog Strategjik, të përqendruar në thellimin e partneritetit dypalësh. Në një intervistë për Zërin e Amerikës pas dialogut dhe një takimi me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se përballë sfidave me të cilat përballet Ballkani Perëndimor, përfshirë ndikimin keqdashës së Rusisë, dialogu dhe angazhimi amerikan, janë të rëndësishme. Gjatë dialogut, Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe zoti Osmani tha se Shkupi po bën përpjekje për kapërcimin e bllokimit të Bullgarisë. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut tha se rajoni ka nevojë për mesazh të qartë nga BE-ja.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, çfarë u bisedua në takimin me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Departamentin e Shtetit?

Bujar Osmani: Ishte një takim i rëndësishëm në të cilin i falenderova fillimisht për mundësinë që Maqedonia e Veriut të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që inicion Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me çka rrit nivelin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve. Por natyrisht edhe falenderoj për mbështetjen e fuqishme që Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut e ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve, por edhe për të theksuar se Ballkani Perëndimor, rajoni gjendet në një moment kritik, ose në një udhëkryq në të cilin do të përcaktohet pastaj rruga më tutje. Është shumë e rëndësishme që të kemi përpjekje të përbashkëta dhe prezencë më të fuqishme amerikane për të ruajtur këto arritje të rajonit, të cilat janë të jashtëzakonshme në 30 vitet e fundit, por që kanë qenë si rezultat i investimit të madh politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe prandaj duhet t’i ruajmë ato arritje dhe të mbindërtojmë mbi to dhe të mos lejojmë që edhe situata e re gjeopolitike në rajon, por edhe çështjet e hapura brenda dhe dinamikat negative që për fat të keq i kemi kohëve të fundit, të ndikojnë që t’i rrezikojmë të gjitha këto arritje të viteve të fundit.

Zëri i Amerikës: Konkretisht cilat ishin disa nga përfundimet e Dialogut Strategjik?

Bujar Osmani: Ideja e Dialogut Strategjik ishte që të fusnim në kornizë bashkëpunimin edhe ashtu të shkëlqyeshëm të deritanishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut. Përcaktuam temat të cilat i kemi prioritet për këtë vit, duke u fokusuar në dialogun e përgjithshëm politik, mbështetjen e reformave në përgjithësi në Maqedoninë e Veriut, bashkëpunimin në mbrojtje, fokusin në këmbimin tregëtar, në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe mbrojtjes kibernetike, e cila është shfaqur tani si një nevojë e madhe për rajonin dhe Maqedoninë e Veriut. Të mos harroj këtu bashkëpunimin dhe kontaktet mes njerëzve, ndërmjet qytetarëve, nëpërmjet programeve kulturore dhe arsimore, mirëpo të gjitha këto të futura në një kornizë e cila pastaj mund të ndiqet më lehtë. Ideja është që çdo vit të kemi Dialog Strategjik të nivelit të tillë që ta udhëheqin Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme në emër të qeverive dhe do mund të bëjmë një prerje se çfarë është bërë gjatë këtij viti dhe cilat do të jenë prioritetet për vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Maqedonia e Veriut ka ndjekur vijën e Bashkimit Evropian lidhur me sanksionet përsa i takon Rusisë. Megjithatë rajoni është në një situate të vështirë përsa i takon ndikimit rus. Cili është shqetësimi kryesor në këtë drejtim?

Bujar Osmani: Qëndrimi i Maqedonisë së Veriut ka qenë pa ekuivoke në drejtim të dënimit të agresionit rus në Ukrainë, por edhe solidarizimit me Ukrainën dhe popullin ukrainas. Ne u jemi bashkangjitur të gjitha sanksioneve, duke arritur kështu 100 për qind harmonizim të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, por natyrisht edhe duke ndihmuar Ukrainën në forma të ndryshme. Unë thashë edhe më parë: prezenca ruse ka qenë malinje në Ballkanin Perëndimor, natyrisht me intensitet të ndryshëm në vende të ndryshme, por ka qenë prezente. Ashtu siç ka qenë dhe është në Maqedoninë e Veriut. Prandaj ajo që është e rëndësishme, dhe është pjesë e këtij Dialogu Strategjik, është që të forcojmë rezistencën e institucioneve për t’u kundërvënë, ose për t’u ballafaquar me këto tentime për ndikime hibride, qoftë në shoqërinë tonë, qoftë në rajon në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Ju sapo përmendët ndihmën që vendi juaj po i jep Ukrainës. Konkretisht çfarë ndihme po jep Maqedonia e Veriut?

Bujar Osmani: Ndihma ka qenë e të gjitha llojeve, nga ndihma politike, nëpërmjet kosponsorizimit të rezolutave të ndryshme në organizatat ndërkombëtare, nëpërmjet ndihmës humanitare, deri tek ajo ushtarake. Por natyrisht kemi hapur edhe kufijtë tanë për refugjatët ukrainas, për momentin kemi rreth 1 mijë të tillë në Maqedoninë e Veriut, por jemi të gatshëm të pranojmë gjithsecilin që do të përfundojë në kufirin tonë, duke dhënë trajtimin më të mirë të mundshëm. Ukraina sot nuk po lufton vetëm për vetveten, po lufton për rendin botëror, po lufton për vlerat të cilat bashkë i promovojmë ne si botë Euroatlanike..

Zëri i Amerikës: Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut, ka ngecur për shkak të pengesave të Bullgarisë. Çfarë shpresash keni për samitin e qershorit? A mendoni se do të zhbllokohet? Dhe çfarë ndodh nëse Bullgaria nuk ndryshon qëndrim në këtë samit?

Bujar Osmani: Sigurisht që po bëjmë përpjekjet që të jemi të suksesshëm në këtë cikël të presidencës franceze. Kujtojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë një progress gjatë kësaj presidence, për shkak të zhvillimeve dhe dinamikave të ndryshme qoftë rajonalë qoftë atyre të brendshme në Maqedoninë e Veriut. Kemi komunikim të vazhdueshëm me qeverinë bullgare. Shpresoj ditëve në vijim do të kemi edhe intensifikim të atyre takimeve për të gjetur një zgjidhje e cila do të jetë e dinjitetshme për të dyja palët dhe e cila do të mundësojë një qasje konstruktive të të dyja qeverive në përmirësimin e raporteve ndërshtetërore, por natyrisht edhe shpresojmë në përpjekjet e presidencës franceze. Sot biseduam edhe me qeverinë amerikane për këto qëndrime dhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Kujtoj se është nevoja për lidership strategjik të Bashkimit Evropian. Ballkani Perëndimor ka nevojë për mesazhe pa ekuivoke, sa i takon të ardhmes evropiane për shkak se ne jemi pjesë e një sistemi i cili po ballafaqohet me sfida të përbashkëta. Ne nuk kemi kohë të merremi me njëri-tjetrin, të humbim energji në konteste ndërshtetërore, por duhet të fokusohemi në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë në kontinentin tonë dhe në ballafaqimin e sfidave të cilat do i kemi sigurisht edhe në vitet në vijim.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndodh nëse këto pengesa nuk tejkalohen, duke pasur parasysh që procesi i Maqedonisë së Veriut është i lidhur edhe me atë të Shqipërisë?

Bujar Osmani: Unë besoj që do të arrijmë bashkë të fillojmë bisedimet. Kujtoj që qëndrimi i Shqipërisë ka qenë shumë korrekt, që të mos bëjë presion për ndarje nga paketa. Absolutisht është një e drejtë e Shqipërisë. Ky është një proces i cili bazohet në meritokracinë individuale të secilit shtet veç e veç. Por kujtoj se bashkëpunimi dhe sinergjia e cila krijohet nga rruga e përbashkët e të dyja vendeve, do të ndihmojë njëra-tjetrën në krijimin e një dinamike rajonale, sa i takon integrimit evropian.

Zëri i Amerikës: Ku qëndron situata me postin e ambasadorit e Maqedonisë së Veriut këtu në Uashington që deri tani ka pasur vështirësi të plotësohet?

Bujar Osmani: Kemi përcaktuar ambasadorin, qeveria ka marrë vendimin, presim tani formalizimin e procedurave me qëllim që shumë shpejt të vijë këtu në Shtetet e Bashkuara për të filluar detyrën.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje për politikën e brendshme, përsa i takon pozicionit të BDI-së. Opozita ka shprehur pakënaqësi dhe ka kërkuar zgjedhje të parakohëshme. Çfarë parashikon BDI-ja që do të ndodhë dhe çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj pakënaqësive të shprehura nga opozita, e cila ka thënë që do të kalojë deri në protesta?

Bujar Osmani: BDI-ja për dy ditë festoon 20 vjetorin e themelimit të saj, 20 vjet politikë konstruktive e cila ka ruajtur kursin euro-atlantik të vendit, politikë e cila ka krijuar një shtet funksional, një demokraci funksionale multi-etnike të pashoqe në rajon, e cila ka bërë që qytetarët të ndihen të barabartë dhe të integruar në institucionet e sistemit. Kemi fuqi, potencial, eksperiencë dhe mundësi për të vazhduar këtë integrim, për të vazhduar këtë kurs euro-atlantik./VOA

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit