Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të arrijnë objektivin e tyre kryesor në luftën kundër Iranit, që sipas tij ishte një fitore e shpejtë.

Në një intervistë për NBC News, Araghchi tha se pas gjashtë ditësh konflikti është e qartë se ky plan nuk ka funksionuar. “SHBA kanë dështuar dhe tani po përpiqen të justifikojnë pse na sulmuan, duke paraqitur arsye të ndryshme. Tani po flasin për një plan B, por besoj se edhe ai do të jetë një dështim edhe më i madh”, u shpreh ai.

I pyetur nëse Irani mund ta fitojë luftën, Araghchi tha se nuk ka fitues në këtë konflikt, por sipas tij fitorja e Iranit është fakti që po arrin të rezistojë ndaj objektivave që ai i quajti të paligjshme.

Kryediplomati iranian theksoi gjithashtu se Teherani nuk ka kërkuar armëpushim dhe as negociata me SHBA-në. Sipas tij, Irani nuk sheh arsye për negociata pasi, siç tha, dy herë gjatë bisedimeve me amerikanët vendi i tij është sulmuar.

Araghchi shtoi se gjatë ditëve të fundit të luftës nuk ka pasur asnjë kontakt me të dërguarin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Kontakti i fundit, sipas tij, ishte javën e kaluar në Gjenevë, ku palët negociuan për rreth shtatë orë dhe kishin bërë përparime në diskutimet për programin bërthamor iranian.


Lajmi kryesor:

Lufta/ Izraeli sulm Bejrutit, Irani godet me dron aeroplanmbajtësen amerikane 'Lincoln'! Irani kërcënon trupat amerikane, Trump sulmon djalin e Khameneit