TIRANE- Për herë të parë pas shumë vitesh një ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë viziton sot Tiranën në kuadër të një vizite zyrtare.
 Burime zyrtare nga ministria jonë e Punëve të Jashtme konfirmuan në orët e vona të pasdites së djeshme vizitën e Ivan Mrkic, shefit të diplomacisë serbe, ndërkohë që ky i fundit paralajmëroi vizitën e tij në të përditshmen serbe “Politika”. “Të hënën do të shkoj në Tiranë. Shumë vjet atje nuk ka shkuar një ministër i Jashtëm serb. Me siguri do të krijojmë bazat për bashkëpunim më të mirë”. Ka thënë diplomati serb, Mrkiç , për gazetën serbe “Politika”.

MINISTRIA E JASHTME PUBLIKON SOT AXHENDA
Nga zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme u informua mbrëmë se Ivan Mrkic do të mbërrijë sot në orën 14: 30 minuta, ndërsa takimet e tij zyrtare nisin mëngjesin e së martës.  Ndërkohë që sot në mëngjes MPJ publikoi pa shumë detaje axhendën e kësaj vizite. Njoftimi nuk jep qëllimin e vizitës apo se cila është përmbajtja e marrëveshjes që do të firmoset mes dy ministrave. 

 "Më 22 - 23 tetor 2012, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, z.Ivan Mrkić, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, z. Mrkić, do të takohet me personalitete të larta të vendit. Më 23 tetor, në orën 10:00, Ministri i Jashtëm serb, do të pritet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë z. Edmond Panariti. Pas takimit, në orën 11.20, të dy ministrat do të nënshkruajnë një marrëveshje dhe më pas do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp."- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë sot në mëngjes.


ALEANCA REAGON

Aleanca Kuq e Zi reagoi ashpër ndaj qeverisë duke e akuzuar se e mbajti të fshehtë vizitën e ministrit serb e cila sipas saj është kryer nga “pazarxhiu i Ballkanit Damir Fazlliç”. Ajo paralajmëroi se do të organizojë protestë kundër vizitës së Mrkiç. Ndërsa sot  Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare në AK Z.Lisen Bashkurti doli në një deklaratë për shtyp lidhur me fshehtësinë e axhendës së vizitës së Ministrit të Jashtëm serb”.
(sg/shqiptarja.com)