Ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë vizitës së tij zyrtare në Danimarkë, pati disa takime me bashkatdhetarët, që jetojnë në këtë shtet, bën të ditur zyra për shtyp e kësaj ministrie.
Në qytetin e Horsens të Jylandit, ministrin Murati e pritën një numër i madh i bashkatdhetarëve, të cilët i ishin mirënjohës, për shkak se kjo vizitë ishte e para e një zyrtari të shtetit në këtë rajon.
Në këtë takim, ministri Murati dhe bashkëpunëtorët e tij paraqitën objektivat e Ministrisë së Diasporës, si dhe prezantuan planet e qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të mëtejshëm me bashkatdhetarët.
Ministri Murati u takua edhe me bashkatdhetarët në qytetin e Kopenhagës. Me këtë rast, ishin të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Robo dhe ambasadori i Maqedonisë, Naim Memeti.
Edhe në këtë takim, ministri Murati foli për nevojën e rrjetëzimit të diasporës sonë, duke potencuar se diaspora shqiptare ka luajtur një rol të veçantë në historinë kombëtare, prandaj Ministria e Diasporës e trajton atë një dhe të pandarë./atsh/