TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço priti sot në një takim miqësor dhe kortezie Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Indi, z. D.P. Singh.
Në takim, mes të tjerash Ministri Naço i bëri me dije konsullit se qeveria shqiptare ka realizuar dhe po ndërmerr një sërë reformash legjislative që lidhen me sistemin e drejtësisë, reformën territoriale, administratën publike etj.
"Këto reforma legjislative të cilat ne po realizojmë, jo vetëm që ndikojnë dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve të adminitratës publike kundrejt qytetarit, por ato përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve vendas dhe njëkohësisht krijojnë një klimë shumë herë më të mirë dhe të rritur besimi se, Shqipëria është një vend ku mund të investohet", u shpreh Naço
Ministri Naço takon Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Indi
Ndërkaq, Singh i shprehu Ministrit Naço konsideratën e tij të lartë për përvojën dhe performancën e tij në drejtimin e institucionit të Ministrisë së Drejtësisë.
Singh evidentoi faktin se shumë investitorë nga India, janë të gatshëm të investojnë në Shqipëri, kryesisht në fusha si transport, hidroenegji, infrastrukturë dhe turizëm.
Njëkohësisht, Singh theksoi se biznesi i huaj në Shqipëri ka nevojë jo vetëm për ligje të mira për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve të huaja, por nga ana tjetër duhet që edhe organet ligjzbatuese në Shqipëri të jenë më shumë bashkëpunuese jo vetëm ndërmjet tyre, por dhe me biznesin e huaj në mënyrë që investitorët të jenë më shumë prezentë në Shqipëri.
Ministri Naço takon Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Indi
"Nxitja e prezencës edhe më të madhe të investimeve të huaja në Shqipëri është një faktor kyç në uljen e papunësisë", tha Singh.
Ministri Naço, duke e falënderuar për mbështetjen e dhënë e siguroi Konsullin se Ministria e Drejtësisë si institucioni kryesor për bashkërendimin, harmonizimin dhe reformimin e legjislacionit shqiptar në tërësi, ka në fokusin e punës së saj edhe përmirësimin e legjislacionit në kuadër të reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare, që lidhet me përmirësimin e indikatorëve për klimën e biznesit (doing business).
"Ne jemi të gatshëm t'i krijojmë të gjithë investitorëve të huaj, përfshirë edhe atyre indianë, një vend të hapur dhe të sigurt për të investuar", tha Naço./ATSH/