Tiranë - Ditën e sotme, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi ka mikpritur Ambasadorin e ri të SHBA në Tiranë, Eric Wendt.

"Ambasador Wendt, mirë se erdhët në Shqipëri!" - ka shkruar ministri Nufi në një postim në rrjetet sociale, teksa nënvizon se:

"SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të qartë për të bashkëpunuar."

Ndër të tjera, në postimin e tij ministri Nufi shton se Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për mbështetjen e vendit pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore.

Nufi nënvizon gjithashtu se Shqipëria është tashmë një kontribuuese aktive për paqen dhe sigurinë.

"Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza - Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen", thekson Nufi.

"Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen", mbyll publikimin e tij, Ministri Nufi.