Organizimi i NATO-s në Tiranë në vitin 2027 është vlerësim për rëndësinë strategjike të Shqipërisë, tha ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në konferencë për shtyp. Koha mbetet ende për t’u përcaktuar nga Aleanca, por kjo shënon një fazë të re për vendin.
“Koha do të përcaktohet nga vetë Aleanca dhe organizimi është dëshmia më e madhe e besimit për Shqipërinë. Shqipëria dhe NATO po hyjnë në një fazë të re, NATO 3.0, një NATO më e përgatitur, më e aftë dhe që kërkon më shumë përgjegjësi”, tha Nufi.
Investimet në mbrojtje e siguri dhe modernizimi i Forcave të Armatosura janë prioritet i ministrisë në kuadër të forcimit të sigurisë kombëtare. Kjo ndjek edhe linjën e NATO-s, për të cilën në një moment të konferencës, ministri tha se e ka kryefjalë rritjen e kapaciteteve. Ushtria ka kërkuar shtimin me 1000 ushtarë të organikës.
“Shqipëria po përgatitet për investime në mbrojtje, fuqizimin e infrastrukturave strategjike. Diskutimi është çfarë kapacitetesh do të ndërtohen me këto para. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë europiane. Shpenzimet për mbrojtjen janë investim për sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria po ndërton kapacitetet e saj si pjesë e një sistemi kolektiv të mbrojtjes së NATO-s. Prioriteti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë dhe mbetet modernizimi i Forcave të Armatosura”, tha Nufi.
Deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës, ministri e quajti “të papranueshme.”
“Deklarata është skandaloze, e papranueshme. Çdo koment tjetër është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Bashkohem plotësisht me reagimin e kryeministrit. Edhe vetë reagimi në Serbi ka treguar që vazhdojmë të kemi atë qëndrim europian”, tha Nufi.
Në këndvështrimin e tij, ky është viti më i mirë sa i përket ndërhyrjeve për zjarret, ndërsa monitorimi vijon 24 orë në 24. Brenda vitit, Shqipëria do të pajiset edhe me 3 avionë zjarrfikës.
“Janë nënshkruar kontratat. Është një investim i jashtëzakonshëm për kapacitetet në RSH. Brenda këtij viti avionët janë zyrtarisht, besoj edhe për pjesën e zjarreve. Pajisjemi me kapacitete maksimale”, tha ministri.
Në shtator nis prodhimi i dronëve KAYO, ndërsa pritet të nisë edhe trajnimi i pilotëve në vend nga bashkëpunimi me Izraelin.
Lajm në përditësim...
Komente











Shto rrogat dhe vijn vet ushtaret
Përgjigju