TIRANE - Përgjime të opozitës dhe diplomatëve të huaj, trafik armësh me vendet në konflikt dhe nën embargon e OKB, duke filluar me Libinë e deri te Nigeria përmes trafikantit ndërkombëtar, serbit Tesiç, shitje të pasurisë së ushtrisë, shkarkim gjeneralësh të lartë që akuzojnë për përdorim të FA në misioone civile e antikushtetuese, janë disa nga akuzat që rëndojnë mbi lideshipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kreut të saj Arben Imami.

Akuza që kanë marrë vëmendjen e ndërkombëtarëve duke dalë nga suaza e akuzave të opozitës dhe e mediave kundërshtare të kësaj qeverisjeje në ikje dhe duke bërë që qeveria e re dhe ministrja Mimi Kodheli të kenë shumë punë për pastrimin e ushtrisë shqiptare nga emri i keq i trafiqeve, korrupsionit dhe përdorimit politik. Pasi vetëm disa ditë para zgjedhjeve Ministri i Mbrojtjes Imami, ka raportuar në Bruksel, para Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Anders Fogh Rasmussen e ambasadorëve të vendeve anëtare, për trafikimin e armëve shqiptare drejt vendeve të Lindjes në bashkëpunim me sekserin e famshëm serb, Sllobodan Tesiç, i kërkuar ndërkombëtar për trafik armësh.

Kërkesa për raport vinte pasi OKB publikoi një raport, ku akuzonte kryeministrin Berisha e ministrin e Mbrojtjes Imami, për thyerjen embargos së vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB, duke trafikuar armë drejt Libisë në bashkëpunim me sekserë serbë në kërkim ndërkombëtar. Raporti i përgatitur nga një panel ekspertësh, konstatonte se qeveria Berisha ka thyer embargon e OKB, duke dërguar armë në mënyrë të paligjshme drejt Libisë. Në raport shprehej shqetësimi se armët e dërguara në Libi po përhapeshin me një shpejtësi alarmante në vende të tilla si Mali, Siria apo Rripi i Gazës.

Imami ka dhënë llogari në NATO, ndërkohë që më parë në media ka dhënë deklarata kontradiktore, duke thënë herë se nuk ishin shitur armë dhe herë që janë bërë përmes kontratash të rregullta. Ndërkohë që rrjeti i trafikut të armëve shqiptare, gjatë tetë viteve të Berishës në pushtet, është shtrirë në të gjitha kontinentet si në Libi, në Jemen, në Iran, Afganistan, në Meksikë dhe Kongo. Me armë shqiptare po zhvillohet konflikti i armatosur në Goma, në lindje të Kongos. Rebelët e ushtrisë M23 kapën armatimet e lëna pas nga ushtria kongoleze. Skandali u denoncua nga gazetarët e agjencisë së lajmeve "Reuters". Në pamjet e regjistruara nga gazetarët "Reuters" zbulohet se ushtria kongoleze përdorte armatim shqiptar. Nga ana tjetër bashkëshortja e ish-shefit të shërbimit sekret të ushtrisë, SHIU ishte aksionere në kompanitë që tregtonin armatim dhe municione shqiptare. Më se njëherë komisioni i sigurisë kishte kërkuar informacion nga Imami në lidhje me trafiqet, korrupsionin dhe përdorimin e FA për qëllime politike, kërkesa pa përgjigje.
 
GAZETA NJU JORK TAJMS

Dhe gazetari i njohur i Nju Jork Tajms, Christopher John Chivers, që ka raportuar skandalin e shitjes së armëve shqiptare në Afganistan, ka shkruar në mars të këtij viti, për armët shqiptare për Gaddafin. Në shkrim thuhet se armët shqiptare të mbledhura me shumicë nga ish-regjimi para 90-s, sot nxjerrin fitime të mëdha në pazarin ndërkombëtar të armëve e ndërkohë qeveria shqiptare jo vetëm është përfshirë direkt në këto trafiqe nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, por vendi ynë gjithashtu ka vënë emrin e tij në dispozicion të trafikantëve të armëve nga Europa Lindore, veçanërisht Serbia si Sllobodan Tesiç. Lehtësues i kësaj tregtie ka qenë MEICO. Armët janë shitur shpesh përmes një sekseri serb, i kërkuar për trafik ndërkombëtar armësh. Gazetari amerikan shkruan se është e lehtë të kuptosh se çfarë reputacioni ka MEICO sa i përket korrupsionit dhe trafiqeve, duke përmendur shkrimin e tij për trafikun e armëve në Afganistan.
 
 
AKUZAT E PS, IMAMI: TRAFIK ARMESH ME SERBIN TESIÇ, SHIU U PERZIE ME 21 JANARIN
 
Më se njëherë është kërkuar nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami që të shpjegojë përse shërbimi sekret i ushtrisë dha informacione të rreme për 21 janarin dhe cili është trafikanti serb që me bashkëshortën e shefit të SHIU-t tregtonte armatime shqiptare. Imami nuk ka dhënë asnjëherë përgjigje, duke deklaruar se nuk mund të nxirren sekretet e ushtrisë në shesh. “Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime siç janë media, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë siç ishte rasti i Berishës me 21 janar kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikëqyrjen e parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve siç mund të jenë dhe përgjimet e paautorizuara”, akuzonte nënkryetari i komisionit të sigurisë në Kuvend, Ilir Gjoni kohë më parë.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)