TIRANE - Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka reaguar dje me një deklaratë ndaj situatës më të fundit në Siri të përdorimit të armëve kimike. Në një njoftim për shtyp të dikasterit të drejtuar nga Aldo Bumçi kërkohet reagimi i mënjëhershëm të ndërkombëtarëve, pas dyshimeve për përdorimin e armëve atomike. Në deklaratë thuhet se Ministria e Jashtme po ndjek me shqetësim përkeqësimin e situatës në Siri, veçanërisht pas ngjarjeve të ditëve të fundit, ku raportohet të jenë përdorur lëndë helmuese luftarake kundër popullsisë civile në kryeqytetin e vendit, Damask.

Ndërsa më tej shkruhet se Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar me forcë përdorimin e lëndëve helmuese luftarake kundër popullsisë civile dhe i bashkohet komunitetit ndërkombëtar, që kërkon një veprim të menjëhershëm dhe të vendosur ndaj këtij akti të paprecedent dhe gjetjen e autorëve, që kanë urdhëruar dhe realizuar veprime të tilla barbare, të cilësuara si krime kundër njerëzimit.
 
SIRIANIA ALIAA NOHA

E ka quajtur fundi i botës atë që po ndodh në shtetin e saj, siriania Aliaa Noha e cila prej vitesh ka emigruar me bashkëshortin dhe dy vajzat nga Siria në Shqipëri. Aliaa mezi është përmbajtur teksa përshkruan dramën mbi 2 vjeçare nga konflikti civil ne Siri. Masakra e fundit me armë kimike mbi qytetarët në periferi të Damaskut ka shokuar mbarë botën ditën e fundit me pamje tronditëse që janë përcjellë nëpërmjet internetit. “Shumë sirianë nuk pranojnë të dalin jashtë Sirisë andej kanë lindur andej do vdesin. Jeta atje është gati e pamundur.

Një milionë kanë dalë jashtë Sirisë, një shifër e madhe. 5 milionë e kemi dëgjuar para disa muajsh, është diçka e pabesueshme as vendet arabe nuk i pranojnë më Sirianët. Shifrat kanë kaluar shumë plus në egjipt ka prapë protesta. Nuk e marr vesh as unë as shumica e qytetareve por di të them se shtetet e mëdha po luajnë me gjak sirianë”shprehet Aliaa.

Siriania që jeton në Shqipëri, së shpejti në cilësinë e aktivistes për të drejtat e sirianëve, do të organizojë një protestë përpara ambasadës ruse në Tiranë, pasi siç thekson Aliaa Noha, Kina dhe Rusia janë dy vende që po mbështesin diktatorin Bashar Al Asad, ndërsa kombet perëndimore sipas saj po luajnë me gjak sirianë.


Lajmi u përditësua

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)