Në vendin tonë është konfirmuar varianti Delta, i infeksionit Sars-Cov2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një shënim në mediat sociale u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese për përhapjen e COVID, ndërkohë që përsërit apelin që ata të vaksinohen si e vetmja mënyrë për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Sipas ministrisë qytetarët duhet të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, vaksinat shpëtojnë jetë, ato veprojnë, reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Në bilancin e 24 orëve të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet me dije se nga 4078 testime të kryera kanë rezultuar pozitiv me COVID, 22 qytetarë. Sakaq nuk ka asnjë humbje jete për shkak të koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:

Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus. Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore po bëjnë gati planin e ri të menaxhimit të situatës së COVID në stinën e vjeshtës ku pritet të ketë rritje të rasteve e përkeqësim. Kryetarja e Komitetit Teknik të ekspertëve, Mira Rakacolli, tha në një intervistë për Report Tv se po përfundojnë strategjinë vjeshtë-dimër dhe pranverën e ardhshme, në lidhje me survejancën dhe më pas organizimin e sistemit shëndetësor për përballimin e skenarëve të ndryshëm që mund të ndodhin së shpejti.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo nëvend, deri në orën 8 të mbrëmjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:34
COVID19/ Asnjë humbje jete për 29 ditë radhazi, 22 raste të reja dhe 14 të shëruar në 24 orët e fundit

Kjo është dita e 29-të radhazi që në vendin tonë nuk është shënuar asnjë humbje jetë nga COVID-19. Gjatë 24 orët e fundit sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga 4,078 testime, kanë rezultuar pozitivë 22 qytetarë.

4 prej rasteve janë shfaqur në Elbasan, 3 në Tiranë, Kurbin, Kukës, 2 raste në Lezhë, Gjirokastër, Dimal, dhe nga 1 rast në Kavajë, Vlorë dhe Fushë- Arrëz.

Gjatë 24 orët e fundit, kanë arritur të fitojnë betejën me COVID-19 14 pacientë.

Aktualisht janë 280 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.

Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 9 pacientë.

Statistika (25 Korrik 2021)

Raste të reja ditore        22

Të shëruar në 24 orë     14

Të shtruar në spitale      9

Humbje jete në 24 orë   0

Testime ditore                4078

Testime totale             879,340

Raste pozitive             132,875

Raste të shëruara       130,139

Raste Aktive                       280

Humbje jete                   2,456

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë              98

Elbasan            30

Kukës                29

Vlorë                26

Lezhë               26

Durrës              18

Shkodër           17

Fier                   14

Berat               13

Korçë                6

Gjirokastër        3

Ora 15:35
Konfirmimi i variantit Delta, Manastirliu: Të gjithë të jemi rigoroz në respektimin e masave parandaluese, vaksinimi arma më e fuqishme për parandalimin e infeksionit

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar pas konfirmimit të variantit Delta në vendin tonë. Ministrja nënvizon se duhet nga të gjithë respektim rigoroz i masave parandaluese, izolim i menjëhershëm në rast dyshimi si dhe vaksinim. Manastirliu thekson se kjo është arma më e fuqishme për të frenuar përhapjen e virusi.

‘Konfirmimi i prezencës së variantit Delta në Shqipëri nga laboratori i referencës Charite në Berlin, kërkon nga të gjithë respektim rigoroz të masave parandaluese, izolim të menjëhershëm në rast dyshimi dhe konfirmimi të virusit COVID 19, dhe mbi të gjitha VAKSINIM • VAKSINIM • VAKSINIM, si arma më e fuqishme për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të shpëtuar jetë!’- shkruan Manastirliu.