TIRANË -Ministria e Shëndetesisë i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike bërë sot nga deputetja Albana Vokshi në lidhje me vdekjen e pacientes SH. P, ku sipas tyre, u mjekua për barna jashtë standardeve, apo edhe më keq akoma, të falsifikuara.
Ministria e Shëndetesisë  nëpërmjet një deklaratë për mediat shpjegon në se "pacientja SH. P. vuante nga një sëmundje tumorale në tru që nga viti 2005 dhe po atë vit ka kryer një ndërhyrje të parë kirurgjikale. Në vitin 2009, sëmundja është rishfaqur dhe për një periudhë dyvjeçare pacientja është trajtuar me kemioterapi të linjës së dytë.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2013, ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale jashtë shtetit dhe pastaj është trajtuar me radioterapi. Sigurisht që në ditët e sotme, pavarësisht përmirësimit dhe përdorimit të metodave bashkëkohore të suksesshme e të përparuara të trajtimit, për fat të keq, shumë prej sëmundjeve malinje, në të cilat përfshihet edhe diagnoza e patologjisë prej së cilës vuante shtetasja në fjalë, përfundojnë në fatalitet kudo në botë".
"Përsa i përket akuzave tërësisht të pathemelta dhe tymnajës panikndjellëse, me të cilën PD na ka mësuar rëndom tashmë, për barna jashtë standardeve, apo edhe më keq akoma, të falsifikuara, dëshirojmë të ritheksojmë sërish për opinionin publik se, barnat që vendosen në treg në Republikën e Shqipërisë, qoftë ato që janë të regjistruara, apo qoftë ato që ligji ia lejon ministrit t'i vendosë me leje të posaçme importi në treg, kanë një origjinë gjeografike të mirëpërcaktuar dhe përmbushin të njëjtat kërkesa që lidhen me importimin e tyre në Shqipëri. Barnat furnizohen nga subjekte të liçensuara për tregtim barnash që plotësojnë tërësisht kushtet për tregtimin e këtyre barnave", thuhet në deklaratën e Ministrise se Shëndetesisë. /ATSH/