Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi në Vlorë një sipërmarrje vendase që eksporton produkte peshku në vendet e Bashkimit Europian. Ajo tha se mbështetja e prodhuesve vendas është prioritet për qeverinë shqiptare, kjo e fokusuar kryesisht te rritja e nivelit të eksporteve tona.
“Ne duam të nxisim eksportet, si ato të menaxhuara nga shqiptarët, por edhe të kemi mundësi për ta zgjeruar dhe për të huajt, e rëndësishme është që të mundësojmë sa më shumë punësim”, u shpreh ministrja. Ndërkohë, heqja nga Bashkimi Europian i kuotave të eksporteve shqiptare për disa lloje peshku ka bërë që të rritet niveli i këtyre produkteve. Këtë e pohojnë vetë sipërmarrësit të cilët eksportojnë drejt tregjeve europiane.
“Kjo ka ndikuar 100 %. Tregu europian ka nevojë për këtë produkt dhe aq më tepër që është produkt cilësor. Ne e kemi mësuar këtë dhe po rritemi. Biznesi im është rritur në sajë edhe të mbështetjes së BE-së, duke parë që për tregun vendas ne e kemi plotësuar nevojën, jo vetëm unë por të gjithë prodhuesit shqiptarë”, u shpreh Muharrem Jazaj. Lidhur me zhvillimin e këtij sektori, Ministrja Denaj informoi se tashmë funksionojnë disa skema mbështetëse.
“Qeveria shqiptare është e angazhuar edhe në skema të drejtpërdrejta vetëm të fondeve nacionale që i menaxhon me AZHBR, por edhe në skemat e mbështetjes të fondeve të garancisë. Unë dua ta lançoj që këto skema mbështetëse ekzistojnë sot. Janë dy skema mbështetëse nga dy donatorë shumë të rëndësishëm në Shqipëri, BERZH dhe KfË, të cilat kanë hyrë në skema mbështetëse në bujqësi me sektorin financiar”, tha ministrja.
Gjithashtu, Ministrja vizitoi një nga bizneset që tashmë ka përfituar nga fondet e AZHBR-së. Kjo sipërmarrje ka përfituar 20 milionë lekë, ndërkohë që e gjithë vlera përfundimtare e këtij investimi do të arrijë në mbi 40 milionë lekë. Sipas njoftimit nga ministria, kapaciteti përpunues i këtij biznesi do të arrijë në 4 mijë ton peshk dhe numri i të punësuarve të jetë mbi 80 persona.
Gjithashtu, ministria thekson se eksportet shqiptare kanë njohur rritje gjatë viteve të fundit. Vetëm për vitin 2018 në total llogaritet të jenë 310 344 milion lekë, ndërsa 2 mujori i parë i këtij viti llogaritet në vlerën 44 475 milion lekë. Vendet ku eksportojmë më shumë janë Italia, Kosova, Spanja, Gjermania dhe Greqia.