Politikat në Britaninë e Madhe për emigrantët sa vijnë dhe ashpërsohen, ndërsa shqiptarët vijojnë të mbeten problemi më i madh. Pas Suella Braverman, e cila në qeverinë e kaluar bërtiti me të madhe dëbimin e shqiptarëve nga Britania, tashmë laburistja Shabana Mahmood po ndjek të njëjtat politika.

Mahmood ka prezantuar një plan të gjerë për ristrukturimit të sistemit të azimit, ndërsa thotë se të paktën 700 familje shqiptare së bashku me fëmijë, të cilave u është refuzuar azili, po strehohen në Britani dhe qëndrimi i tyre po financohet nga taksat e qytetarëve.

“Për shembull, ka rreth 700 familje shqiptare, kërkesat e të cilave për azil janë refuzuar, megjithatë, largimi i tyre nuk po zbatohet aktualisht nga Ministria e Brendshme, pavarësisht se Shqipëria ka një standard të artë bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar për kthimet dhe është nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ne do të nisim një konsultim mbi procesin e zbatimit të largimit të familjeve, përfshirë fëmijët”, deklaroi një ditë më parë në parlament Shabana Mahmood, teksa tregoi ndryshimet drastike të ligjit të emigracionit.

Masat kanë shkaktuar shqetësim edhe brenda vetë Partisë Laburiste, që pranojnë se deportimi i fëmijëve dhe familjeve konsiderohet “i dhimbshëm dhe politikisht delikat”. Pavarësisht se Shqipëria vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar si një partner i besueshëm në rikthimin e shtetasve, vendi ynë është rikthyer në qendër të debatit britanik për migracionin.