Denaj: Mbështetje fermave familjare për zhvillimin e zonave rurale

Denaj: Mbështetje fermave familjare për zhvillimin e zonave rurale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në aktivitetin për mbylljen e fazës së parë të projektit “Përfshirja Financiare e Fermave Familjare në Zonat Rurale në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Japoneze. Në këtë aktivitet të organizuar nga FED Invest, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, merrnin pjesë përfaqësues Ministria e Bujqësisë, Banka e Shqipërisë, JICA Balkan Office, Ambasada e Japonisë, dhe institucioneve të tjera të përfshira në zbatimin e projektit.

Ministrja Denaj u shpreh gjatë fjalës së saj se ekonomitë dhe fermat e familjeve shqiptare janë në fokus të mbështetjes së qeverisë shqiptare, si në aspektin e paketave fiskale, ashtu edhe të skemave mbështetëse.

Ministrja theksoi se projekti me vlerë 3.5 milionë euro dhe kohëzgjatje 4 vjeçare synon të jetë një nga instrumentët në mbështetje të objektivave të qeverisë shqiptare për të rritur cilësinë e shërbimeve financiare dhe aksesin në to të zonave rurale, ndërsa përmendi gjatë fjalës së saj dhe disa nga lehtësitë fiskale, skemat mbështetëse dhe favorizuese për sektorin e bujqësisë.

Përfaqësuesja e FED invest, znj. Zana Konini theksoi se faza e parë e projektit trepalësh JICA - Qeveria Shqiptare dhe FED invest synonte krijimin e infrastrukturës së nevojshme fizike dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore për realizimin e objektivave të projektit.

Fjala e plotë e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi prezenca dhe përfshirja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në ceremoninë për arritjen e parë të projektit “Përfshirja Financiare e Fermave Familjare në Zonat Rurale në Shqipëri”.

Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Japoneze kanë raporte bashkëpunimi të hershme. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve janë vendosur në Prill të vitit 1922, me njohjen e Shtetit Shqiptar nga Japonia dhe menjëherë pas 8 (tetë) vitesh, në Qershor të vitit 1930, është nënshkruar marrëveshja e parë tregtare. Ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë Japoneze nëpërmjet ndihmave dhe kredive, granteve dhe bashkëpunimit teknik. Sektori

prioritar në fokus të qeverisë japoneze ka qënë dhe është ende, kryesisht sektori i bujqësisë por edhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si edhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore duke mundësuar trajnime për stafin e administratës.

Ndër projektet që Qeveria Shqiptare ka në bashkëpunim me Qeverinë Japoneze për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka një rëndësi të veçantë projekti i financuar nga Qeveria Japoneze nëpërmjet JICA “Përfshirja Financiare e Fermave Familjare në Zonat Rurale në Shqipëri” .

Ky projekt me vlerë 3.5 mln euro, për një kohëzgjatje 4 vjeçare, synon të jetë një nga instrumentët në mbështetje të objektivave të Qeverisë Shqiptare për të rritur cilësinë e shërbimeve financiare dhe aksesin në to, të zonave rurale.

Ekonomitë dhe fermat e familjeve shqiptare janë në fokus të mbështetjes së Qeverisë Shqiptare si në aspektin e paketave fiskale, ashtu edhe të skemave mbështetëse.

Ndër të tjera, për Sektorin e Bujqësisë, dëshiroj të listoj si skemë mbështetëse dhe favorizuese konkretisht:

Përjashtimet nga TVSH-ja:

furnizimi i makinave bujqësore;

furnizimi i inputeve bujqësore;

furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake;

importi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave.

Skema mbështetëse dhe favorizuese:

Mundësi financimi dhe incentiva për investimet në sera, në sisteme të avancuara të vaditjes dhe kullimit, blerjen e makinerive bujqësore;

Normë e reduktuar e tatim-fitimit (5%) dhe e TVSH-së (6%) për shërbimet e agro-turizmit;

Skema subvencionimi për fermat bujqësore, për sistemet e grumbullimit dhe të tregtimit me shumicë, kultivimin e produkteve bujqësore të orientuara për eksport;

Skema të hapura për kompanitë e huaja në bashkëpronësi me shtetas shqiptarë.

Bazuar në politikat lehtësuese të Qeverisë Shqiptare, numri i bizneseve të regjistruara në sektorin e Bujqësisë është rritur nga 3807 biznese në 2013, në 5561 biznese sot, pa përfshirë këtu rreth 42,576 fermerë të regjistruar me NIPT në tatime.

Uroj që në përfundim të këtij projekti të kemi automatizim dhe rritje të cilësisë së shërbimeve financiare pavarësisht largësisë gjeografike, shërbime dhe produkte financiare të kuptueshme, transparente, të vlefshme dhe të përballueshme për këdo, përmes zgjidhjeve më të fundit teknologjike, lehtësisht të aksesueshme e të përdorshme nga çdokush.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi