Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se transaksioni për transferimin e 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një sulmii kibernetik.
“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passwordet”, tha Bajrami.
Sipas saj transaksioni i parave është një transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.
“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, tha ajo.
Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati.
I arrestuari L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transfertën e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.
Veton Rrecaj, avokati i punëtorit të Thesarit të Kosovës tha se është mbajtar seanca dëgjimore për klientin e tij me kërkesë të masës së paraburgimit, vendimi për të cilin pritet të merret sot.
Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.
“Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve.
Lajmi i bërë publik pasditen e djeshme ka shkaktuar jo pak bujë në mediat vendase dhe ato rajonale për lehtësinë me të cilën i akuzuari ka kryer krimin.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj punëtorit të Thesarit të Kosovës, në rastin e transaksionit të 2 milionë eurove nga ky institucion shtetëror në një kompani private.
Siç njofton Gjykata, i pandehuri me iniciale L.G dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata tha se mori vendim për ta dërguar në paraburgim, nga frika se i njëjti mund të arratiset apo edhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës të tjerë.
“I pandehuri L.G dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Gjytata Themelore e Prishtinës.
I arrestuari është L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.